Lajme

Ahmeti i kundërpërgjigjet Mickovskit: Je rritur me keksa, mos kërko bela – mati fjalët


Ali Ahmeti

“Hristjan, populli im thotë gur mbi gur bëhet kalaja, fjalë pas fjale nis belaja. Mos nis bela, mati fjalët. Je i ri, akoma të qet buza tamël”, ka thënë Ali Ahmeti.

Këto komente, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, njëherit lideri i koalicionit “Fronti Evropian”, i ka bërë në tubimin qendror të këtij koalicioni në sheshin “Maqedonia”, në Shkup, duke iu kundërpërgjigjur kështu partisë opozitare maqedonase VMRO-DMNE-së, përkatësisht liderit të saj Mickoski, i cili së fundmi ka ngritur tonet nacionaliste kundër shqiptarëve, posaçërisht kundër partisë së Ahmetit.

“Hristjan Mickoski është rritur me gurabi. Hristjan Mickoski është rritur me keksa. Unë, Hristjan jam rritur në kullë prej guri që tre herë është djegur prej pushtuesve”, tha Ahmeti, dhe në këto momente filluan brohoritjet “UÇK, UÇK”, të cilat i vazhdoi edhe kreu i BDI-së.

“Dikujt mund t’i vi mërzi se pse këta të rinj thërrasin UÇK. Por, UÇK-ja është ajo që e bëri Maqedoninë. UÇK-ja është ajo që i bëri të gjithë me dinjitet, edhe komunitetet…”, potencoi.

Ndryshe, VMRO-DPMNE të gjithë fushatën zgjedhore e ka reduktuar në sulmet ndaj BDI-së, përkatësisht kryetarit Ali Ahmeti, por edhe kandidatit të “Frontit Evropian” për President të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Mickoski thirrje për “bashkim kombëtar maqedonas”: Të bashkohemi kundër Ali Ahmetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore