Kosova

Agim Çeku: UÇK-ja nuk ka arkiva, s’kemi çka hapim


“Jo UÇK-ja s’ka arkiva”, ka deklaruar Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, pas deklaratë së zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka thënë se” janë dakorduar me palën serbe për hapjen e arkivave shtetërore, përfshirë edhe ato për UÇK-në”, në takimet e 7 dhe 8 tetorit në Bruksel.

Ish komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, ka thënë se nuk ka arkiva të tilla, sepse Kosova ka qenë gjithmonë e hapur dhe kjo është diçka e pakuptimtë.

“Ka arkiv shtetëror, por ne absolutisht s’kemi çka hapim, ne jemi kanë gjithmonë të hapur, nuk ka asgjë që ne kemi fshehur, kështu që ajo është diçka e pakuptimtë”, ka deklaruar për Infokusin Agim Çeku.

Çeku tutje shtoi se tërë bota e di se kush është agresori dhe kush viktima dhe se UÇK-ja nuk ka pasur as politikë e as veprime të tilla kriminale.

“Absolutisht s’ka arkiva të tilla dhe s’ka çka me pas arkiva të tilla, sepse krimet kanë qenë sistematike, strukturore të Serbisë, të kryera nga shteti”, tha Çeku duke shtuar se “UÇK nuk ka bërë krime të tilla dhe prandaj nuk ka arkivë të tillë”.

“Nuk mund të vihet në pyetje barazimi mes tyre, sepse krejt bota e di se krimet i ka bërë Serbia në mënyrë sistematike, të strukturuar, organizuar dhe janë kryer nga aparati shtetëror, kurse UÇK-ja nuk ka pasur as synim dhe as politikë të tillë e as veprime të tilla”, Tha Agim Çeku.

Ai ka theksuar se Serbia mund të vijë lirisht të shikojë në arkivat shtetërore, sepse nuk ka asgjë, por nëse hapen arkivat serbe, ai ka thënë se do të dokumentohen krimet e mëdha serbe.

“Serbia le të vijë e të shikojë arkivat shtetërore, sepse s’ka asgjë që mund të lidhet ngase s’ka ndodhë asgjë. Por nëse hapen arkivat e Serbisë dhe duhet të hapen ato, ose kurdo që hapen arkivat serbe, sigurisht se do të dokumentohen krimet e mëdha”.

Hapja e arkivave serbe sipas Çekut do të ndihmoj edhe procesin e filluar në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së.

“Do të ndihmojnë edhe bashkëluftëtarët tanë në Hagë, sepse do të shihet se kush është agresori, kush krimineli, çfarë krimesh makabre kanë bërë ata”.

Çeku është shprehur se Kosova nuk ka se çfarë të fshehë, “sepse lufta jonë ka qenë luftë çlirimtare dhe nuk ka diçka që ne kemi bërë e që fshihet nga opinioni, qoftë ai vendor apo edhe ai ndërkombëtar”, përfundoi Çeku.

Ndërkohë drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, deklaroi se “ajo që është e rëndësishme, është, se është bërë përparim në çështjen e personave të zhdukur dhe se Prishtina më në fund e ka pranuar ekzistencën e arkivave të UÇK-së”, gjë ka sjellë reagime të shumta në Kosovë.

Për hapjen e arkivave të UÇK-së ka reaguar edhe Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun Kosovë – Serbi, Edita Tahiri.

Përmes një postimi në Facebook ka thënë se është skandaloze barazimi i arkivave të ushtrisë çlirimtare me atë të një ushtrisë vrastare.

“Skandaloze barazimi i arkivës së një ushtrie vrastare me atë të një ushtrie çlirimtare dështim i pafalshëm i delegacionit te Kosovës në dialogun e Brukselit dje”, ka shkruar Tahiri.

Ndërkaq deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka theksuar se me pajtimin për hapjen e arkivave mes Kosovës dhe Serbisë, po barazohet viktima me agresorin.

“As në ëndrrën time më të keqe nuk kam menduar se do ta përjetoj këtë ditë, kur Qeveria e Kosovës legjitimon gënjeshtrat e Serbisë, duke i ngjallur fantazmat serbe kinse për arkiva të UÇK-së”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

“Kjo është barazim i viktimës me agresorin dhe krahasim i UÇK-së me ushtrinë serbe. Gabimet e Qeverisë Kurti në politikën e jashtme janë të përmasave alarmante, duke rrezikuar seriozisht trashëgiminë e luftës sonë çlirimtare dhe shtetësinë tonë”.

Në një konferencën për media të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, një ditë pas takimin me palën serbe në Bruksel, ai ka potencuar se është diskutuar për gjetjen e modaliteteve për të arritur sa më shpejtë të familjarët e të pagjeturve.

“Pala serbe ka thënë se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, që sipas tyre nënkupton që të hapen arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK dhe kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive mund të gjenden në arkivat ushtarake të Serbisë”, ka theksuar Bislimi.

Në anën tjetër, Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se i kanë ofruar qasje të plotë Përfaqësuesit Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në arkivat e Kosovës.

“Me qëllim që të heqim çfarëdo dyshimi që mund të kenë sa i përket ‘shpikjes së tyre për arkivat e UÇK-së’, ka shkruar në Facebook Hoti.

Sipas tij, “arkivat e Kosovës kanë qenë dhe janë të hapura, prandaj marrëveshja është në interesin tonë sepse vetëm na mundëson qasje në arkivat ushtarake të Serbisë, e që është barriera kryesore për zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë”.

Por, sipas Hotit, një gjë të tillë do ta bëjë edhe Serbia, duke i hapur arkivat e ushtrisë, “pasi që Serbia ka qenë e organizuar në nivel shtetëror me organet dhe forcat policore e ushtarake, si dhe me njësi paramilitare që kanë vrarë e masakruar anë e kënd Kosovës, duke i kidnapuar e zhdukur me forcë mijëra persona”, ka shtuar Hoti.

“Ne kemi kërkuar qasje të plotë në arkivat shtetërore të Serbisë, veçanërisht në arkivat e ushtrisë dhe policisë gjatë kohës së luftës në Kosovë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore