Shqipëria

Agalliu për Albanian Post: Borxhi publik i rëndon vetëm shqiptarëve, shifrat nuk janë siç i thotë Qeveria


Arbi Agalliu duke denoncuar pretendimin për një tender korruptiv qeveritar, 9 tetor 2021

Me ardhjen e krizës energjetike në Shqipëri, të paralajmëruar nga vetë kryeministri Edi Rama, pritet që buxheti i shtetit të impaktohet, duke rezultuar edhe në rritje të vlerës faktike të borxhit publik, siç është deklaruar nga vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Në shifra konkrete, mendohet se ky borxh do të kapë vlerën e 80% brenda vitit.

Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë

Mirëpo, për sekretarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe ekspertin e ekonomisë, Arbi Agalliu, shifrat e Qeverisë nuk janë pasqyruar në mënyrë reale.

Në një intervistë për Albanian Post, Agalliu jep pikëpamjen e të djathtëve të Shqipërisë, të cilët mendojnë se jo vetëm që borxhi ka arritur në 80%, por nëse kalkulohen edhe çështje të tjera, ai shkon përtej kësaj shifre.

“Duhen marrë parasysh vendimet e paekzekutuara gjyqësore”, thotë Agalliu, duke iu referuar rasteve shqiptare. “Më pas, vendimet e gjykatave ndërkombëtare, siç është arbitrazhi. Mos të harrojmë këtu konçensionet e PPP-ve”.

Sipas tij, ky borxh rëndon vetëm mbi xhepat e qytetarëve, por jo vetëm atyre që jetojnë sot në Shqipëri. “Borxhi do të rëndojë edhe tek fëmijët që do të lindin në të ardhmen në Shqipëri. Do të jetë barrë që duhet ta shlyejnë edhe ata në të ardhmen”.

Një tjetër problem që borxhi sjell sipas deputetit demokrat, është edhe fakti se ai pamundëson ekonominë të funksionojë në mënyrë korrekte.

Kriza energjetike është krizë korrupsioni

Paralajmërimi i kryeministrit Rama, varet mbi të gjitha edhe nga indikatorët ndërkombëtarë të krizës.

Por, për PD-në, kjo krizë nuk është realisht energjetike, por korruptive.

“Kur them krizë korrupsioni partia demokratike dhe un si ekspert nuk kemi thënë se nuk ka rritje të çmimeve në tregje ndërkombëtare. Ne po flasim për diçka tjetër. Po flasim për një keqmenaxhim, abuzim dhe korrupsion i sistemit të energjisë”.

Mbi këtë aspekt, është shprehur më parë edhe Shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Yan Sub. Ajo parashtroi se Shqipëria, duhet të rrisë transparencën me fondet publike dhe cilësinë e tyre.

Sipas tij, problematika thelbësore është ajo e shitjes me çmim të ulët dhe blerjes me çmim të lartë.

Arbi Agalliu duke denoncuar pretendimin për një tender korruptiv qeveritar, 9 tetor 2021

Një akuzë tjetër që Agalliu ngre, është ajo e tre tenderimeve me vlerë mbi 10 milionë euro, të cilat i bashkëngjiten problematikave të abuzimit në sektorin e energjisë. Të gjitha këto, i bashkëngjiten krizës së sektorit në nivel botëror.

Më tej, një tjetër barrë qo do të shtohet, do të jetë emetimi i radhës i Eurobondit. Kështu të paktën mendon Agalliu.

“Kjo e  bën situatën më të rëndë, sepse ne nuk jemi një ekonomi prodhuese, ekonomi që e ka sektorin e prodhimit të rëndësishëm dhe një sektor që jep kontribut në ekonominë shqiptare. Por, jemi një vend, i cili bazohet në sektorin e shërbimit, aq më tepër në këtë kohë pandemie”.

Në këtë kontekst, ekonomisti pretendon se marrja e një borxhi të tillë për të shlyer borxhin e mëparshëm, e rëndon situatën.

Po rritja ekonomike?

Një lajm i mirë i këtij viti, ka qenë edhe ai i rritjes ekonomike shqiptare. përkatësisht, në nëntë muajt e parë të vitit, ajo është rritur me thuajse 18%.

Këtë fakt e ravijëzuar në një konferencë të përbashkët me FMN-në edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Guvernatori ka thënë më parë se gjatë 9 muajve të parë të vitit, u tregua se ekonomia është në rimëkëmbje.

Po ashtu, ajo ka rifituar pikët e humbura nga pandemia.

Sërish, për demokratët, shifrat gënjejnë!

“Nëse bëjmë krahasimin e rritjes ekonomike me rritjen e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, do të kuptojmë se efekti neto është i vogël”, shtjellon Agalliu. “Ose, minimalisht, nuk është domethënës”.

Gjithashtu, fakti është se kjo rritje, vjen pas një viti shumë të vështirë pandemik. Pra, mund të cilësohet edhe si normale në këtë rast.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i përgjigjet pyetjeve të qytetarëve mbi krizën energjetike

Por për të, mungojnë në Shqipëri investimet, mungon zhvillimi i biznesit apo tërheqja e investitorëve të huaj ndaj mjedisit shqiptar.

“Qytetarët shqiptarët janë gjithmonë më të varfër dhe këtë e tregon realiteti, nuk ka nevojë për shifra. Familjet shqiptare nuk kanë aftësi të shpenzojnë, sepse nuk kanë të ardhura normale. Ato janë në kufij të mbijetesës shumicë dërmuese”.

Një “luftë” e vërtetë e këtyre javëve, ka qenë edhe ajo kuvendore midis kreut të demokratëve, Lulzim Basha dhe kryeministrit Rama. Ajo përballje, gjithashtu, radhitet në termat që Agalliu përcakton si të rëndësishme për krizën momentale.

Por, një panoramë më të qartë, qytetarët mund ta kenë vetëm kur vërtetë, efektet e krizës globale, të ndihen lokalisht në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore