Lajme

Afrika e Jugut lehtëson masat pas kalimit të valës së katërt


Në Afrikën e Jugut është hequr shtetrrethimi gjatë natës me besimin se vendi ka kaluar kulmin e valës së katërt të coronavirus-it të drejtuar nga varianti Omicron.

Agjencia e lajmeve, “The Guardian”, tregon se qeveria e ka hequr shtetrrethimin nga mesnata deri në 04:00 të mëngjesit bazuar në trajektoren e pandemisë, nivelet e vaksinimit dhe kapacitetet e disponueshme në sektorin shëndetësor.

“Të gjithë treguesit sugjerojnë se vendi mund të ketë kaluar kulmin e valës së katërt në nivel kombëtar”, është thënë në një deklaratë në një mbledhje të posaçme të kabinetit të mbajtur më herët.

“Teksa varianti Omicron është shumë i transmetueshëm, ka pasur norma më të ulëta të shtrimit në spital se sa në valët e mëparshme”, është shtuar në deklaratën e kabinetit.

Atje, të dhënat nga departamenti i shëndetësisë kanë treguar një rënie javore prej 29.7 për qind në rastet e reja të zbuluara në javën që ka përfunduar më 25 dhjetor, sipas qeverisë.

Pranimet në spitale kanë rënë në tetë nga nëntë provincat e Afrikës së Jugut.

Vendi, me afro 3.5 milionë infeksione dhe 91 mijë vdekje, ka qenë vendi më i goditur në Afrikë gjatë pandemisë në të dyja pikat dhe ishte vendi ku varianti Omicron u zbulua për herë të parë muajin e kaluar.

Qeveria, përveç heqjes së kufizimeve për lëvizjen publike, ka vendosur që dyqanet e alkoolit me licenca për të funksionuar pas orës 23:00 mund të kthehen në kushtet e plota të licencës.

Çka është një ndihmë e mirëpritur për tregtarët dhe bizneset e goditura rëndë nga pandemia dhe që kërkojnë të rikuperohen gjatë sezonit festiv.

Sidoqoftë, tubimet publike janë të kufizuara për jo më shumë se një mijë njerëz brenda dhe jo më shumë se dy mijë njerëz jashtë.

Gjithashtu mbajtja e maskave në vende publike mbetet e detyrueshme, ku shkeljet konsiderohen si vepër penale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore