Shqipëria

Aeroporti Nënë Tereza do të mirëpresë 15 mijë udhëtarë në ditën e ndërrimit të viteve


Aeroporti Nënë Tereza pritet të ketë një fluks të shtuar të udhëtarëve në prag të ndërrimit të viteve.

Lajmi u bë i ditur nga zëvëndës kryeministrja, Belinda Balluku, njëkohësisht ministrja për Infrastrukurën dhe Energjinë.

Gjatë inspektimit, Balluku zbuloi se numri i pasagjerëve që do të kalojnë përmes aeroportit pritet të jetë 15 mijë.

“Jemi në aeroportin internacional të Rinasit dhe jemi një ditë përpara përfundimit të vitit, data 30 dhjetor dhe presim 15 mijë pasagjerë. Ajo që është më e rëndësishmja për t’u theksuar është se sivjet kemi arritur të kemi terminalin e ri dhe teksa po inspektojmë, edhe te siguria edhe te portat e daljes pavarësisht se janë 15 mijë pasagjerë, udhëtarë që do nuk shohim që të ketë as radhë as problematikë dhe kjo vjen për shkak të shtimit të kapaciteteve”, theksoi zyrtarja shqiptare.

Kujtojmë që më herët u hap për qarkullimin e automjeteve rruga e re drejt aeroportit të Rinasit.

Balluku deklaroi se kjo rrugë e re do të ndikojë në uljen e trafikut të mjeteve, të krijuar gjatë verës më së shumti, por jo vetëm.

Kështu në mes të rrugës nga qafa e Kasharit në drejtim të Rinasit ka një dalje të re djathtas, që dërgon një pjesë të trafikut, pra atë pjesë të trafikut që është e dedikuar vetëm për aeroportin e Rinasit.

Sipas Ballukut, me ndryshimin e koncesionarit, aeroporti i Rinasit ka pësuar ndryshime të mëdha pozitive dhe se lëvizjet dhe fluturimet në aeroport janë shtuar dukshëm vitin e fundit.

Po ashtu, mbi 26 mijë fluturime janë realizuar gjatë 10 muajve të parë të 2022 dhe ka pasur 4.4 milionë pasagjerë deri në 30 tetor të këtij viti.

“Deri në fund të vitit do të kemi 5.2 milionë pasagjerë”, njoftoi ministrja.

Për të, aeroporti i Rinasit është një nga dy aeroportet më me rritje gjatë vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore