Sport

Adnan Januzaj tregon dallimin mes Ferguson-it, Moyes-it dhe Mourinho-s


Ish-anësori i Manchester United, Adnan Januzaj, ka ndarë pikëpamjet e tij në lidhje me ish-trajnerët e “Djajve të Kuq” nën urdhrat e të cilëve është aktivizuar për gjashtë sezone.

Shqiptari, i lindur në Bruksel të Belgjikës, u bë pjesë e United në vitin 2011, në ekipet zinxhire.

Në vitin 2013, ai arriti të bënte debutimin me ekipin e parë.

Në vitin 2017, Januzaj u largua nga United, pas periudhave me katër trajnerë të ndryshëm si Sir Alex Ferguson-i, David Moyes-i, Louis van Gaal-i dhe Jose Mourinho.

Në një intervistë për britaniken “The Athletic”, Januzaj nuk e fshehu simpatinë për ish-trajnerin Moyes, duke thënë se “përveç se është një trajner i mirë, ai është dhe një person i mirë”.

“Mund të flasësh me Moyes-in për çdo gjë. Mund ta telefonoj sa herë të dua dhe ai përgjigjet në telefon. Lojtarët e rinj patën një shans nën drejtimin e Sir Alex Ferguson-it dhe Moyes-it”.

“Por me Jose Mourinho-n dhe Luis van Gaal-in luanin më shumë lojtarët e mëdhenj. Si lojtar i ri nuk mund të thuash asgjë. Thjesht duhet të punosh dhe të shpresosh të kesh një shans”, shtoi lojtari i Real Sociedad-it.

Moyes-i ishte trajneri që i dha mundësinë e debutimit Januzajt me fanellën e “Djajve të Kuq”, në atë fitore 2-0 ndaj Wigan Athletic në Community Shield në vitin 2013.

Tekniku Moyes do të shkarkohej nga drejtimi i United në 2014 pas rezultateve të dobëta, por Januzaj beson se atij nuk iu dha koha e mjaftueshme për të pasur sukses në “Old Trafford”.

“Moyes nuk kishte kohë të mjaftueshme te Manchester United. Kur mora vesh se ishte shkarkuar, shkova në zyrën e tij dhe e falënderova për gjithçka”, vijoi të thoshte lojtari i përfaqësueses së Belgjikës.

“Ai më ndihmoi shumë kur isha atje, po ashtu edhe Sir Alex. Ata janë dy trajnerët, për të cilët do të kem gjithmonë respekt”.

Me ardhjen e Van Gaal-it, Januzaj u dërgua në huazim te Borussia Dortmund-i në vitin 2015. Me verdhezinjtë, ai arriti 12 paraqitje. Më pas u huazua te Sunderland-i, ku u ribashkua me Moyes-in.

Në vitin 2017, u konsiderua si i tepërt në ekipin e Mourinho-s dhe u shit përfundimisht te Real Sociedad-i në La Liga.

Me spanjollët, Januzaj ka realizuar 138 paraqitje në të gjitha kompeticionet, nga ku ka shënuar 19 gola. Aktualisht, Sociedad-i është në krye të La Liga-s, së bashku me Real Madrid-in dhe Sevilla-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore