Lajme

Abdixhiku: Themeluam 21 departamente të LDK-së, po përgatisim edhe 20 nëndegë të reja në Evropë


Foto nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesia e kësaj partie ka miratuar 21 departamente, kështu duke diskutuar edhe për themelimin e 20 nëndegëve të reja në Evropë.

Lajmin e ka bërë të ditur Abdixhiku përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Kryesia miratoi dhe themelimin e 21 Departamenteve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e po ashtu formoi dhe Forumin e Këshilltarëve Lokal të cilin do ta udhëheqë, Ilir Ferati, kryetari i Komunës së Istogut”.

“Në veçanti u diskutua mbi organizimet në Mërgatë, si dhe rreth përgatitjeve për themelimin e 20 nëndegëve të reja gjithandej nëpër Evropë, duke rritur numrin në 78 sosh. Mërgata po rikthehet në shtëpinë e saj historike, Lidhjen Demokratike”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se do të kenë takime cdo ditë me qytetarët.

“Anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm e deputetët e LDK-së do të jenë në terren në bashkëbisedim të përditshëm me qytetarë për të diskutuar me ta dhe për ta përhapur vizionin e qartë e programin e vetëm politik në Kosovë “Rruga e Re”.

Ndërsa, programin “Rruga e Re”, e vlerësoi si më të pasurin.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në prag të vitit të ri më 30 dhjetor u kishte dërguar një letër anëtarësisë së partisë së tij, ku kishte theksuar se viti 2023 ka qenë vit i ngjarjeve të mëdha për LDK-në, derisa ka bërë të ditur se më 2024 do të shtojnë angazhimin e tyre në terren.

Sipas LDK-së, “Rruga e Re” synon të çojë Kosovën drejt një të ardhmeje të ndritur, duke dalë nga kriza aktuale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore