Lajme

Abdixhiku: Pushteti me “dhunë policore ndaj kundërshtarëve politik”


Lumir Abdixhiku

Për Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, arrestimi i aktivistëve të Partisë Social Demokrate (PSD), gjatë një proteste të zhvilluar të premten në oborrin e qeverisë te ndërtesa e ish Rilindjes, është i papranueshëm.

Ai ka dënuar për mënyrën se si sot janë arrestuar aktivistët e PSD-së gjatë protestës së tyre në kundërshtim të letër-ngjitësit prej 5 euro që do të paguhet sa herë që regjistrohet vetura.

Sipas Abdixhikut, pushteti ka ushtruar dhunë policore kundrejt kundërshtarëve politikë.

“Sot kishte dhunë, dhunë policore ndaj kundërshtarëve politik. Pushteti që i ka krejt po sillet i vogël përballë kritikuesve politik. Pamjet e sotme sjellin dëshpërim”, ka shkruar ai në mediat sociale.

Ai konsideron se pushteti po i “plaçkit” qytetarët nëpërmjet një kompanie me tre punëtor.

“U jap të drejtë e mbështetje protestuesve të sotëm pa hezitim. Kritika e tyre është e drejtë. Bëhet kundër një plaçke publike – barrë e paarsyeshme për secilin qytetar në vend. Një kompanie tre punëtorëshe i jepet dhuratë 2 milionëshe nga pushteti që mirëmban avazin korruptiv”.

Kur ishte ministër i Ministrisë së Infrastrukturës, Abdixhiku kishte kundërshtuar të nënshkruajë një kontratë të tillë, andaj ai është në mbështetje të aktivistëve të PSD-së.

“Si Ministër i Infrastrukture kisha refuzuar të nënshkruaja një kontratë të tillë”.

Ai kishte konsideruar se po ta bënte një gjë të tillë do të kishte “shpërdorim të panevojshëm i parasë publike”.

Abdixhiku ka ftuar prokurorinë që të hetoj keqpërdorimin e mese 2 milion eurove.

“E ftoj prokurorinë – që të ndërpresë misionet me direktiva politike para zgjedhjeve lokale – se s’i bëjnë punë; e të hetojnë këtë shpërdorim 2 milionësh që ju ndodhë para sysh. Mos keni frikë nga asnjë pushtet”, ka shkruar ai.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës. çdo qytetarë i Kosovë i cili do të regjistroj veturën, nga një shtatori i këtij viti, do të paguaj një kosto shtesë financiare prej pesë eurosh, si rezultat i një marrëveshje me kompaninë “Auto Control Kosova”, si të vetmen kompani, së cilës do t’i bëhet kjo pagesë.

Në protestën e PSD-së janë arrestuar shumë aktivist përfshi edhe kryetarin e këtij subjekti politik, Dardan Molliqaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore