Lajme

Abdixhiku për takimin me Escobar-in: Na u konfirmua se marrëdhëniet me ShBA-të s’kanë qenë kurrë në nivel më të ulët


Lumir Abdixhiku

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka bërë me dije se në takimin që në mbrëmjen e së mërkurës, që ka pasur së bashku me liderët e tjerë të opozitës, me të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i është konfirmuar se relacionet mes Kosovës dhe ShBA-ve janë në pikën më të ulët.

“Sa i përket takimit të mbrëmshëm, ishte një takim informues mbi relacionet bilaterale mes Kosovës dhe SHBA, për ta thënë më thjeshtë në atë që na u tha qartë dhe zëshme; marrëdhëniet nuk kanë qenë as një herë në nivel më të ulët se sa që janë sot”, deklaroi Abdixhiku para mediave.

Sipas Abdixhikut, mungesa e bashkëpunimit të ngushte me aleatët kryesorë, “me SHBA sjell pasoja për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe kjo gjendje është shqetësuese për ne”.

“Kurti përfaqëson Qeverinë e Kosovës dhe këto pasoja patjetër se barten edhe në fatin e Kosovës. Por është obligim i gjithë nesh që të ruajmë dhe kultivojmë këto relacione se janë të domosdoshme janë të pa zëvendësueshme”, shtoi ai.

Në vlerësimin e liderit të opozitës, “nuk kemi nevojë për përplasje të tilla, kemi nevojë për maturi, kemi nevojë që orientimin tonë euroatlantik mos ta vëmë në tavolinë të betejave të përditshme politike… të mendojmë më kombëtarisht”.

Sa i përket vendimit të qeverisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin e Deçanit, deputeti Abdixhiku ka potencuar se Kurti ka zgjedhur me vetëdije të plotë që në kauza të tilla të rrejshme të ndërtojë bazën për ardhjen në pushtet, por sipas tij, pas ardhjes në pushtet ka kuptuar se kauzat e rrejshme nuk qëndrojnë.

“Tani vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të pakontestuara dhe kur them të pa kontestueshëm nënkupton që edhe ato edhe janë të zbatueshme. Është shenjë e pjekurisë demokratike fillimisht për një shtet dhe shoqëri dhe ky ka qenë qëndrimi ynë i gjithhershme si LDK”, shtoi ai.

“Fatkeqësisht Kurti ka zgjedhur me vetëdije të plotë që në kauza të tilla të rrejshme të ndërtojë bazën për ardhjen në pushtet dhe tani në pushtet ka kuptuar se kauzat e rrejshme nuk qëndrojnë por gjithsesi ato janë të dëmshme”.

Pra, theksoi ai, Kurti “ka ardhur në pushte me kauza të rrejshëm është pasoj e madhe për vendin, për stabilitetin politik e demokratik dhe kohezionin e përgjithshme shoqëror, sepse kemi kaluar nëpër periudha të tensionimit e përçarjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore