Lajme

Abdixhiku: Kosova duhet ta trajtojë me urgjencë ikjen e stafit shëndetësor


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, konsideron se “ikja e stafit shëndetësorë nga Kosova është bërë problem kombëtar i yni”.

Ai ka kërkuar që ky problem të trajtohet “me urgjencë”.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Abdixhiku ka thënë se është takuar me studentët e Fakultetit të Mjekësisë me të cilat ka diskutuar edhe për problematikat aktuale në sektorin e shëndetësisë.

“Paga më të larta, sigurime shëndetësore sa më parë, e investime kapitale në nivel dyfish më të lartë, mbesin zgjidhje të pazëvendësueshme sot”.

Nga ky takim Abdixhiku u shpreh se studentët e mjekësisë meritojnë një të ardhme të ndritur.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në takim me studentët e mjekësisë.

“Të tillët si këta që i takova, meritojnë një shtet që u jep të ardhme të mirë. Kosova ndërsa, i meriton si gjeneratë në ardhje në shëndetësi”.

Ndyrshe, kuadri specialistik mjekësor, po vazhdon të ikë nga Kosova me qëllim për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës.

Problemi i ikjes së mjekëve nga Kosova, ka filluar që në vitin 2016 kur qeveria ndaloi së hapuri konkurset për specializantë.

Ndërsa, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, njëjtë si secila qeveri tjetër, nuk është se ka prezantuar plan specifik për ikjen e specialistëve mjekësorë.

Planet qeveritare, sipas asaj që është prezantuar deri më tani, janë dhënë kryesisht si platforma të përgjithshme, ku nuk flitet për probleme specifike të shëndetësisë. Dhe derisa qeveritarët ndërrohen, ikja e mjekëve të rinj mbanë ritmin e njëjtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore