Lajme

Abdixhiku konfirmon se do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër: Do të matem me Kurtin


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se do të jetë kandidati i kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në një intervistë për Klan Kosova, Abdixhiku ka potencuar se është i gatshëm të matet me kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurtin, për sa i përket mbështetjes popullore.

“Do të matemi për këtë çështje dhe unë do ta masë vetën me rezultatin e kaluar dhe për të parë se sa kemi arritur të bëjmë punë”, ka thënë ai.

Në vlerësimin e tij gara e vetme në Kosovë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jetë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Me Kurtin do të matemi për program, dhe kjo është gara e vetme. Në qoftë se ka një gjasë që kjo qeverisje popullsite të marrë fund është nëpërmjet mbështetjes së LDK-së”.

I pyetur se ku qëndrojnë partitë e tjera opozitare në raport me zgjedhjet parlamentare, Abdixhiku ka potencuar se në “garë janë të gjithë, por se gjasat e vetme për të pasur një ndërprerje të vërtetë të popullizmit në Kosovë është nëpërmjet mbështetjes së LDK-së”.

Ai ndër të tjera gjatë intervistë ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për shkak se ajo bëri fushatë në Maqedoni të Veriut, pikërisht në ditën kur në Kosovë kishte ditë zie për vrasjen e grave.

Abdixhiku ndër të tjera e ka cilësuar si të dëmshëm interferimin e kryeministrit Kurti e partisë në pushtet në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut.

“Vazhdimisht kam thënë se çdo interferim i institucioneve të Kosovës në rajone shqiptare në Ballkan, është i dëmshëm”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, pjesëmarrja në fushatë në Shkup, po i kontribuon përçarjes së shqiptarëve në Maqedoni të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore