Lajme

Abbott shpreh keqardhjen për dorëheqjen e Armend Mehajt


Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, ka shprehur keqardhje për dorëheqjen e Armend Mehajt.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Twitter’, ai e ka shprehur mirënjohjen  e tij në marrëdhëniet pozitive në fushën e mbrojtjes në mes të Britanisë dhe Kosovës.

“Më vjen keq kur dëgjoj se Armend Mehaj, ka dhënë dorëheqjen si ministër i Mbrojtjes. I jam mirënjohës për kontributin e tij pozitiv në marrëdhënien  në mbrojtje gjatë 2 e gjysmë viteve të fundit dhe i uroj atij mirë në të ardhmen”, ka shkruar ai.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka dhënë dorëheqje të martën e 8 gushtit ndërsa në postin e tij është emëruar koloneli Ejup Maqedonci.

Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se për të ka qenë “nder dhe privilegj” ushtrimi i kësaj detyre.

“Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës!”.

“Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”.

Ai ka thënë se për të ky ka qenë një “rrugëtim i gjatë” me sfida të shumta, e po ashtu me përpjekje.

Mehaj për emërimin e Ejup Maqedoncit, në këtë pozitë ka thënë se është zgjidhje e duhur.

“Jam i sigurtë që Kryeministri Kurti duke e emëruar Ejup Maqedoncin në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, e ka zgjedhur njeriun e duhur për këtë detyrë: një person profesionist, patriot dhe të dëshmuar”.

Shkrimin tutje ai e ka vazhduar duke rrëfyer për punën e tij si ministër.

Kush është Ejup Maqedonci? 

Ndërsa, Ejup Maqedonci, ministri që është emëruar ka dhënë kontributin e tij për vite me radhë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Trupat e Mbrojtjes së Kosovës e po ashtu edhe në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Maqedonci gjatë luftës në Kosovë ishte komandant i Batalionit të Parë të Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit.

Pas pensionimit, Mehaj i ka ndarë Maqedoncit “Medaljen e Karrierës” për kontributin e dhënë për formimin, ristrukturimin dhe modernizimin e FSK-së.

Më 18 maj të 2022, në atë kohë shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Kolonel Ejup Maqedonci, njëherësh edhe këshilltar i sigurisë së kryeministrit dhe këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj, në një intervistë për Albanian Post, kishte treguar rëndësinë e Defender Europe 2023.

Po ashtu ai kishte sqaruar edhe ushtrimet që do të zhvillohen në gatishmërinë  e FSK-së për të marrë pjesë dhe dallimet që do të jenë nga Defender 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore