Lajme

Abazoviç: S’di pse e kundërshtoni Ballkanin e Hapur?


Dritan Abazoviç

Kryeministri i Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviç, ka deklaruar se nisma rajonale “Ballkani i Hapur”, është gjëja më e mirë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tij, garantohet liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët.

“Të presësh apo të mos presësh në kufij – mendoj se zgjedhja është shumë e lehtë”, ishte kjo pyetja retorike që shtroi Abazoviç, teksa vazhdoi të argumentonte të mirat që sjellë kjo nismë.

“Mes kalimit me pasaportë apo letërnjoftim, dhe mes kalimit me letërnjoftim apo pa asnjë dokument, besoj se edhe zgjedhja është shumë e lehtë dhe se qytetarët do të donin të kishin një mënyrë të tillë të kalimit të zonave kufitare”.

“Unë me të vërtetë nuk mund ta kuptoj se si dikush në Mal të Zi mbështet që ne do të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe e ka problem të mbështesim diçka që ka rezultuar të jetë një model i mirë funksional atje dhe ta zbatojmë këtu”.

Abazoviç theksoi se qëllimi i tij nuk është afirmimi i ndonjë ideje, “por njerëzit në BE udhëtojnë dhe nuk kanë kufij”.

Ndryshe, duke pasur parasysh interpretimet e shumta politike që janë të pranishme në opinion rreth nismës rajonale “Ballkani i Hapur”, Ministria e Çështjeve Evropiane të Malit të Zi, e kryesuar nga ministrja dhe zëvendëskryeministrja Jovana Maroviç, paraqiti një dokument të titulluar “Analiza e avantazheve dhe disavantazheve të pjesëmarrjes në nismën rajonale Ballkani i Hapur”.

Gjithashtu, “Ballkani i Hapur” është konsideruar si ekuivalent i “Procesit të Berlinit”, i cili nisi në vitin 2014 si një iniciativë diplomatike lidhur me të ardhmen e zgjerimit të Bashkimit Evropian me fokus raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që kishin filluar ta humbnin durimin me procedurat burokratike të unionit që ngjanin si pengesa pa cak.

Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Berlin (2014), Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).

Por, shenjat e plogështisë së procesit, prodhuan në vitin 2018 një tjetër iniciativë, atë të Open Balkan që para se të pagëzohej zyrtarisht njihej si Mini-Schengeni Ballkanik.

Në samitin e fundit me 2 shtator të këtij viti në Beograd, veç tri themelueseve, në cilësi të pjesëmarrësit vëzhgues të pranishëm ishin edhe kryeministri malazez, Dritan Abazoviç dhe shefi i këshillit të ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Të dy kishin shprehur dëshirën që në një të ardhme të afërt t’i bashkohen nismës.

Kosova është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka refuzuar pjesëmarrjen në çfarëdo cilësie – deri më tani.

Abazoviç: S’di pse e kundërshtoni Ballkanin e Hapur?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore