Lajme

Abazoviç: Për çështjen e Kishës bëjani si ne


Dritan Abazoviç

Kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka folur për marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilën e konsideroi nismë të mirë për të ecur drejt një zgjidhje përfundimtare, dhe po ashtu i propozojë institucioneve kosovare që për çështjen e kishës ortodokse serbe në Kosovë të veprojnë si ai që bëri në Podgoricë.

“Unë e shoh si një bazë të mirë për të ardhur deri të një marrëveshje përfundimtare. Ne jemi shumë të interesuar që më në fund kjo çështje të zgjidhet, normalisht nuk jemi shtet që kemi mundësi për të ndihmuar apo për të thënë se çka duhet për të bërë cili subjekt”, tha ai për Radio Televizionin Dukagjini.

Ndërsa, Abazoviç shprehu dëshirën e tij që çështja në mes Kosovës dhe Serbisë të shkonte drejt një zgjidhje përfundimtare, pasi që sipas tij, përmes kësaj “do të normalizohen të gjitha raportet në rajon”.

“Kjo është edhe interesi jonë si shtet, edhe ne jemi shteti më i vogël në rajon dhe çdoherë që ka diçka negative ajo ka ndikim dhe të ne, dhe çdoherë kur kemi lajme të mira në rajon, ajo ka impakt pozitiv në Mal të Zi”, ka thënë Abzoviç.

Neni shtatë i marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, parasheh që të hartohet një statut për Kishën Ortodokse serbe në Kosovë.

E, për këtë, Abazoviç i dha një shembull dhe rekomandim institucioneve të Kosovës se si duhet të zgjidhet kjo çështje. Shembulli i tij ishte veprimi i tij që e kishte bërë me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

“Merrni shembullin e Malit të Zi, si me një nënshkrim gjërat që nuk kanë mundur për 30 vjet të zgjidhen, zgjidhen me një nënshkrim. Të drejtën që e duam për veti duhet me jep dhe të tjerëve në mënyrë të barabartë. Çdokush të shkojë në Kishë, Xhami, Sinagogë, ku të dëshirojnë dhe kush nuk është fetar dhe ai t’i zbatojë të drejta e veta”, potencoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore