Lajme

Abazoviç: “Nuk dua të bëj drama rreth ndalimit të fluturimit të Lavrov, veprojmë në linjë me partnerët tanë”


Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç

Nuk duhet të bëjmë dramë për ndalimin e fluturimit të kryediplomatit rus, ka thënë Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Në lidhje me vendimin e Podgoricës për mbyllur qiejt ndaj Lavrovit, Abazoviç tha se vendi të cilin ai e udhëheq qëndron plotësisht në linjë me partnerët e saj perëndimor.

“Derisa vendime të tilla janë në fuqi, Mali i Zi qëndron në krah të partnerëve të tij dhe me politikat e përkushtuara drejt Bashkimit Evropian. Andaj edhe veprojmë si të tjerët që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë”, ka thënë Abazoviç të hënën mbrëma.

“Nuk do të doja të bëja drama rreth kësaj çështje [ndalimit të fluturimit të Lavrov]. Ne mund të çmojmë faktin se dikush proteston dhe vepron ndryshe si pjesë e të menduarit politik rreth situatës, por kjo situatë është mjaftë e qartë”, tha kryeministri, raportoi Nova.

Në lidhje me vendimin që Podgorica të ndalojë hapësirën ajrore për fluturimin e kryediplomatit rus, Abazoviç tha se  është konsultuar me ministrin e jashtëm malazez, Ranko Krivokapiç dhe se të gjitha ministritë obligohen t’i përmbahen vendimeve për sanksionet.

“Vendimi i Malit të Zi për të qenë në NATO ishte i duhur, dhe edhe tani e shohim më së miri pas kësaj që po ngjan në Ukrainë, edhe skeptikët më të mëdhenj janë të vetëdijshëm”, ka thënë mes tjerash Dritan Abazoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore