Lajme

Abazi: Qeveria ka buxhet për t’ia paguar rrymën serbëve, por s’po gjen zgjidhje për NjSI-në


Deputeti i pavarur Haki Abazi në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për projektbuxhetin e vitit 2024, ka kritikuar Qeverinë për mos plotësimin e kushteve të pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese.

“Nuk është drejtësi të negociohet tri orë me policët e në fund të mos gjendet një zgjidhje, përderisa ka buxhet të paguhet rryma e serbëve në Veri”, tha Abazi.

Abazi ka potencuar se mbajtja e 900 milionë eurove nga Ministria e Financave që nuk ka asnjë kapacitet ekzekutues në kuptimin zhvillimor, tregon që buxheti është i koncentruar “te manipulimi dhe të mëshira ndaj varfërve” të cilët konsiderohen trup elektoral.

“Nuk është politik zhvillimore me shtypë një buton e me i leshu paratë për qytetarët”, potencoi Abazi, derisa shtoi se “Ministria e Ekonomisë nuk është në gjendje një Trepçë ta nxjerr nga balta për tre vite me radhë”.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, teksa ka prezantuar para deputetëve projektbuxhetin e vitit 2024, ka theksuar se me këtë buxhet forcohet mbrojta e Republikës.

Ai ka treguar se buxheti do jetë “buxhet i mbrojtës dhe sigurisë” dhe se Qeveria ka ndarë 370 milionë euro, ose 22 për qind më shumë se aktualisht.

“Ushtrisë ia kemi rritur buxhetin më shumë se dy fish prej kur kemi ardhur në qeverisje dhe numrin e ushtarëve për më shumë se 2/3, do të ia shtojmë edhe 600 ushtarë më shumë në vitin 2024”, tha Kurti.

Kreu i qeverisë ka theksuar se policisë do t’i shtohen edhe 500 rekrutë të tjerë, derisa ka potencuar se “21.7 milionë euro janë ndarë për investime kapitale ose 9 milionë euro më shumë se sa këtë vit”.

Kurti: Me projektbuxhetin e vitit 2024 e forcojmë mbrojtën e Republikës – e zhvillojmë vendin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore