Lajme

AAK mbledh nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme që të diskutohet për Komisionin hetimor për krizën energjetike


Besnik Tahiri, Shef i Grupit Parlamentar të AAK-së

Partitë opozitare në Kosovë janë duke mbledhur nënshkrimet për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për Komisionin hetimor për krizën energjetike, ka deklaruar Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së.

Kjo pasi formimi i këtij Komisioni dështoni të bëhet në seancën e 28 marsit ngase 23 deputetë votuan për e 50 kundër për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës.

“Besoj që do t’i mbledhim shpejt 40 nënshkrimet të cilat do të sjellin seancën e jashtëzakonshme për diskutim dhe aprovimin e këtij Komisioni”.

“Ikja prej një hetimi parlamentar për temën e energjisë është ikje nga përgjegjësia shtetërore institucionale, qeveritare me gabimet një pas një që janë bërë me trajtimin e kësaj teme. Energjia është trajtuar si temë dytësore jo si temë kryesore për qytetarët e Kosovës”, tha Tahiri për EO.

Ai ka folur edhe për Ligjin e Pagave, duke kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që të raportojë për këtë çështje në Kuvend.

Këtë situatë të krijuar ai e ka quajtur pazotësi, injorim dhe mashtrim punën e Qeverisë.

“Kërkesa ime për këtë komision është shumë e thjesht Ministri Sveçla duhet urgjentisht të vij të raportojë para këtij Komisioni. Të na tregoj pse nuk po vjen ligji në Kuvend dhe pse nuk është miratuar ashtu siç është zotuar dhe pse vendoset ky ligj në agjendën legjislative dhe pastaj nuk ka lëvizje”.

“A është pazotësi a është injorim apo është mashtrim. Ne sa i përket Ligjit të Pagave i kemi marrë të gjitha mekanizmat që një grup parlamentar i bënë. Së fundi kemi të miratuar një rezolutë në kuvend që kërkon sjelljen sa më të shpejtë të këtij ligji”, përfundoi Tahiri.

Me 23 vota për dhe 50 kundër, Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi themelimin e komisionit për hetimin e situatës me energji elektrike nga Qeveria e Kosovës, në seancën e Kuvendit më 28 marsit të këtij viti.

Iniciativën e PDK-së nuk e votuan deputetët e pushtetit. Pas kësaj, kreu i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se nuk do të vazhdojnë të qëndrojnë në sallë, e pas tyre sallën e lëshuan edhe deputetët tjerë të opozitës, ata të LDK-së e AAk-së.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, theksoi se ky ishte vullneti i deputetëve.

VV-ja, mos mbështetjen e formimit të komisionit e ka arsyetuar me siç deklaroi deputetja Mimoza Kusari-Lila, “të pavërtetat e thënë nga opozita në sallë në lidhje me menaxhimin e krizës së energjisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore