Lajme

A mund të sjellë presidenti i ri qartësi në politikën e paqartë të Çekisë në raport me Kosovën?


Petr Pavel

Një ditë pasi çekët zgjodhën presidentin e tyre të ri, presidenti në largim – i mirënjohur në Ballkanin Perëndimor për agjendën e tij pro-serbe, udhëtoi në Beograd për vizitën e tij të fundit si presidenti i Republikës së Çekisë.

Petr Pavel, i cili do të zëvendësojë Milos Zeman në mars, zhvilloi një fushatë të suksesshme për presidencë si antitezë e Zemanit.

Pavel, një veteran i misioneve paqeruajtëse në Ballkan, i cili përfundoi karrierën e tij si shef i Forcave të Armatosura Çeke dhe kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, kundërshtoi stilin politik të Zemanit, duke e portretizuar veten si të moderuar, që kërkon konsensus dhe ka qartësisht orientim pro-perëndimor.

Ndryshimet e ardhshme thelbësore në zyrën presidenciale në Çeki, sipas studiuesit Petr Çermak, do të sjellin kështu një ndryshim të tonit në shumë sfera të politikës çeke, përfshirë atë të politikës së jashtme.

Në opinionin e tij të botuar në Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), Çermak ndër të tjera argumenton se marrëdhëniet çeke me Kosovën, të cilat janë njollosur nga agjenda pro-serbe e ish-presidentit çek Zeman, duhet të jenë një nga çështjet ku ky ndryshim do të ketë një ndikim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë.

Që nga vitet 1990, presidentët çekë gjatë kohës që ishin në detyrë ndoqën fuqishëm politika proaktive në raport me Kosovën.

Megjithatë, agjendat presidenciale, sipas Çermak, ishin shpesh në kundërshtim me qëndrimet e qeverive çeke, të cilat ishin kryesisht përgjegjëse për formulimin e politikës së jashtme.

Përplasja e parë midis presidentit dhe qeverisë çeke për çështjen e Kosovës erdhi gjatë luftës në Kosovë. Presidenti i atëhershëm Vaclav Havel mbizotëroi mi pozicionin e mbajtur nga kryeministri i atëhershëm Milos Zeman dhe kryetarit të parlamentit Vaclav Klaus.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, përçarja politike u rishfaq në një konflikt midis presidentit dhe qeverisë për njohjen.

Qeveria çeke e njohu pavarësinë e Kosovës dhe vendosi marrëdhënie diplomatike disa muaj më vonë.

Megjithatë, presidenti i atëhershëm Klaus përdori kompetencat e tij të kufizuara ekzekutive për të refuzuar emërimin e një ambasadori çek në Prishtinë, duke krijuar kështu terrenin për një politikë paralele presidenciale të mosnjohjes, e cila ka vazhduar edhe sot e kësaj dite.

Presidenti në largim Zeman, i cili në cilësinë e tij si kryeministër në vitin 1999 autorizoi pa dëshirë ndërhyrjen e NATO-s në Serbi në emër të Republikës Çeke, u shndërrua në një avokat të zëshëm të Serbisë për pjesën e mbetur të karrierës së tij politike.

Zeman, argumenton më tej Çermak, jo vetëm që ndoqi linjën presidenciale të mosnjohjes pasive të vendosur nga paraardhësi i tij Klaus, por shkoi më tej duke lobuar kështu në mënyrë aktive për pozicionin serb karshi atij kosovar.

Gjatë takimeve të tij me presidentin serb Vuçiç, Zeman përdori vazhdimisht retorikë provokuese anti-kosovare që binte në kundërshtim drejtpërdrejt me qëndrimet zyrtare të balancuara të qeverisë çeke.

Kur vizitoi Beogradin në vitin 2019, Zeman i tha Vuçiç’it se “nuk i pëlqen Kosova” dhe se do t’i propozonte qeverisë çeke të tërheqë njohjen e Kosovës.

Milos Zeman dhe Aleksandër Vuçiç

Pasi dështoi të ndryshonte qëndrimin zyrtar të vendit, Zeman përdori vizitën e Vuçiç’it në Pragë në 2021 për të shprehur “faljen personale” të tij për pjesëmarrjen e Çekisë në ndërhyrjen e NATO-s në 1999.

Në anën tjetër presidenti i sapozgjedhur i Çekisë, Pavel, sipas Çermak, e kaloi gjithë jetën e tij profesionale në ushtri. Karriera e tij ushtarake dhe ngritja e tij politike kanë lidhje të rëndësishme me Ballkanin Perëndimor që jep indikacione për qëndrimin e tij të ardhshëm për çështjen e ndjeshme të Kosovës.

Kur Pavel u pyet për legjitimitetin e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë në një intervistë për media, ai mbrojti me kujdes ndërhyrjen perëndimore në kontekstin e dështimeve të mëparshme të komunitetit ndërkombëtar në rajon.

Sipas sistemit politik çek, presidentit i është caktuar një rol përfaqësues në fushën e politikës së jashtme, ku qeveria dhe Ministria e Jashtme mbajnë përgjegjësinë kryesore ekzekutive.

Pavel njoftoi tashmë se, ndryshe nga Zeman, ai do të marrë një qasje më të përmbajtur dhe do të koordinojë nga afër hapat e tij në sferën e politikës së jashtme me qeverinë aktuale.

Qëndrimi i Çekisë ndaj Kosovës është një nga çështjet ku një zhvendosje e tillë në një qasje ‘normale’ mund të sjellë ndryshime thelbësore, shkruan më tej Çermak.

Sipas Çermak, bazuar në përvojën dhe deklaratat e tij të mëparshme, është e qartë se Pavel do të jetë presidenti i parë çek që nuk do ta vë në dyshim pavarësinë e Kosovës.

Përveç kësaj gjëja më e rëndësishmja, për herë të parë që nga fundi i viteve 1990, sipas Çermak është se qeveria çeke dhe presidenti me sa duket do të ndjekë të njëjtën linjë për çështjen potencialisht përçarëse rajonale.

Një nga hapat e paktë politikë e praktik që Paveli mund të ndërmarrë në të vërtetë brenda fushës së kompetencave të tij të kufizuara ekzekutive si president është emërimi i ambasadorit të parë çek në Prishtinë.

Ky gjest simbolik, sipas Çermak, do të ishte një sinjal se Çekia po lë pas pozicionin e saj të paqartë të “njohësit ngurrues dhe të paangazhuar” dhe në vend të kësaj po shkon drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore