Lajme

A ishte i rregullt ndryshimi i aktakuzës ndaj krerëve të UÇK-së dhe si mund të ndalohet?


Aktakuza e ndryshuar më 29 prill e Prokurorit Special kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për avokatin akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Çerkinin, nuk duhet të lejohet.

“Nëse lejohet, ky ndryshim do të ndikojë në masë shumë të madhe në zvarritjen e procedurës”, thotë Çerkini për Albanian Post.

Madje sipas tij, “për pasojë do të cenohet e drejta për gjykim brenda afatit të arsyeshëm”.

Në njoftimin e Speciales thuhet se aktakuza e re kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, pritet të rëndohet me akuza të reja që i referohet krimeve që pretendohet të jenë kryera në fshatrat e Suharekës dhe në Gjilan.

“Midis 4 korrikut 1998 dhe shtatorit 1998 dhe më ose rreth 28 ose 29 prill në vitin 1999, disa pjesëtarë të UÇK-së ndaluan së paku dymbëdhjetë persona pa një proces të rregullt ligjor ligji në Budakovë. Të arrestuarit, të cilët u mbajtën për periudha të ndryshme kohore, u ndaluan fizikisht dhe u mbajtën në dhoma të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen e rojeve të armatosur”, thuhet në aktakuzë.

Por, si është e rregulluar procedura e ndryshimit të aktakuzës?

Kushtrim Palushi, njohës i çështjeve kushtetuese thotë për Albanian Post se procedura e ndryshimit të aktakuzës është e rregulluar me rregullën 90 të rregullave mbi procedurën dhe provat pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Kjo rregullore përcakton që aktakuza mund të ndryshohet në tri raste, apo momente kohore: 1) para konfirmimit të aktakuzës pa leje paraprake; 2) ndërmjet konfirmimit të aktakuzës dhe caktimit të rastit për gjykim nga një panel gjykues, me lejen e gjyqtarit të procedurës paraprake që ka konfirmuar aktakuzën, pasi të ketë dëgjuar të akuzuarit; dhe 3) pas caktimit të rastit panelit gjykues me lejen e Panelit, pasi të jenë dëgjuar të akuzuarit”, theksoi Palushi.

Kushtrim Palushi

Pra, Palushi potencon se aktakuza kundër ish-krerëve të UCK-së është konfirmuar, që do të thotë se ndryshimi i aktakuzës lejohet vetëm me miratimin e gjyqtarit të procedurës paraprake ose nga paneli gjykues, pasi të ketë dëgjuar të akuzuarit.

“Aktakuza lejohet të ndryshohet vetëm nëse e njëjta nuk është paragjykuese apo nëse nuk është në shpërputhje me të drejtat e të akuzuarve”.

Por, sipas tij, aktakuza lejohet të përfshijë akuza të reja apo të zëvendësojë akuza më të rënda.

“Kur aktakuza e ndryshuar përfshin akuza të reja, sikurse në rastin konkret, të akuzuarit duhet të paraqiten edhe njëherë pranë Gjyqtarit të Procedurës Paraprake për t’u informuar në lidhje me aktakuzën e ndryshuar dhe me të drejtat e të akuzuarve në lidhje me aktakuzën e ndryshuar”.

Megjithatë, Palushi shton se nga parashtresa nuk është e qartë nëse të akuzuarit janë dëgjuar para lejimit të ndryshimit të aktakuzës, sikurse kërkohet me rregullën 90, paragrafi 1, pika b të rregullave mbi procedurën dhe provat pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për çka akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Më 26 tetor të vitit 2020 në Gjykatën Speciale në Hagë ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Akuza ndaj tyre në kohë shtrihet midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të “ndërmarrjes kriminale të përbashkët” kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale hetojnë krimet e supozuara të luftës të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore