Lajme

A e ka zbutur Kurti gjuhën para takimit me Vuçiç-in dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Të zhdukurit me dhunë/Të pagjeturit?


Albin Kurti

Derisa ka folur për personat e zhdukur me dhunë kur po merrte pjesë në homazhe te përmendorja dedikuar këtyre viktimave të luftës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vazhdimësi u është referuar atyre vetëm si “persona të pagjetur” e jo “të zhdukur me dhunë”, siç thoshte dikur.

Kjo lidhet me marrëveshjen e fundit që pritet të nënshkruhet në Bruksel me 2 maj, ku Kosova dhe Serbia kanë bërë betejë të madhe rreth përcaktimit definitiv të terminologjisë për mënyrën se si do t’u referohet teksti i marrëveshjes këtyre personave.

Për çfarë saktësisht bëhet fjalë?

Me 2 maj përfundimisht do të kuptohet se cila palë hoqi dorë nga terminologjia me të cilën do të përshkruhen të zhdukurit me dhunë në luftën e fundit në Kosovë, meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, pritet ta nënshkruajnë tekstin tashmë të dakordësuar në nivelin e kryenegociatorëve.

Kosova dëshironte që në marrëveshje të zhdukurit të konsiderohen si “të zhdukur me dhunë”, sepse, saç thoshte Kurti, ata “nuk janë zhdukur nga fatkeqësitë natyrore”, derisa Serbia kërkonte që t’u referoheshin në tekst viktimave vetëm si “të pagjeturit”.

Kur në fillim të prillit u arrit pajtimi për terminologjinë, meqë teksti s’u publikua, filloi edhe ambiguiteti i deklarimeve.

Besnik Bislimi, kryenegociatori i Kosovës në Bruksel, por edhe Andin Hoti, kryetari i Komisionit për Personat e Pagjetur thanë se ruajtën versionin e tyre, derisa homologu serb i Bislimit, Petar Petkoviç, pohoi se marrëveshja nuk përmban termin “të zhdukur me dhunë”, por është “të zhdukur me forcë”.

Pse ndryshon kjo shumë?

Sepse të “të zhdukur me dhunë” “enforced disappearance” është terminologjia që përdorë Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Tribunalet Ndërkombëtare për “zhdukjen e dikujt kundrejt vullnetit të tij”.

Dhe siç thuhet në faqen e OKB-së “të zhdukur me dhunë konsiderohet të jetë arrestimi, ndalimi, rrëmbimi ose çdo formë tjetër privimi i lirisë nga agjentë të shtetit ose nga persona ose grupe personash që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose pranimin e shtetit, e ndjekur nga një refuzim për të pranuar privimin e lirisë ose fshehjen e fatit ose vendndodhjes së personit të zhdukur, të cilat e vendosin një person të tillë jashtë mbrojtjes së ligjit (neni 2 i ICPED dhe Preambula e Deklaratës për Mbrojtjen e të Gjithë Personave nga Zhdukja me Dhunë”.

Pikërisht kësaj tha Petkoviç t’i kenë ikur me formulimin e ri.

Çfarë saktësisht do të dihet, kuptohet me 2 maj pas takimit të nivelit të lartë, por pesë ditë para këtij takimi, është parë një gjuhë e zbutur e kryeministrit Kurti kur ka folur për këtë çështje, derisa po merrte pjesë në homazhe te përmendorja dedikuar Personave të Zhdukur me dhunë gjatë luftës.

Kurti vazhdimisht ka përdorur vetëm termin “të pagjeturit” e jo “të zhdukurit me dhunë”, kur ka folur për marrëveshjen që pritet të nënshkruhet.

“Ne në aneksin për zbatim të Ohrit të 18 marsit kemi thënë se është çështje urgjente çështja e të pagjeturve dhe unë pres që ashtu pra me urgjencë të trajtohet në takimin e 2 majit çështja e të pagjeturve, e cila nuk i ka viktimë vetëm të pagjeturit por edhe familjet e tyre dhe mbarë popullin tonë me qenë së se pikërisht të pagjeturit janë një situatë e veçantë ku ankthi është edhe më i madh se sa pikëllimi”, tha Kurti.

“Pres që me datën 2 maj nga ndërmjetësit evropianë, siç e kemi thënë në Ohër ta trajtojmë me urgjencë këtë çështje”, përfundoi kryeministri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore