Shqipëria

Dita Botërore e Shëndetit: Kim-Soreca falënderojnë personelin mjekësor


“Në ditën botërore të shëndetit, jemi veçanërisht falënderues për gjithë profesionistët mjekësorë, të cilët kanë punuar kaq shumë këtë vit për të na mbrojtur”.

Ky ka qenë urimi i ambasadores së SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, në Ditën Botërore të Shëndetit.

“Ju falënderojmë nga thellësia e zemrës për përkushtimin dhe sakrificën”, përmbyll Kim.

“Këtë vit, kjo ditë merr një kuptim akoma më të veçantë”, shkruhet ndërkohë në postimin e Ambasadës Amerikane. “U jemi mirënjohës më shumë se kurrë të gjithë punonjësve të shëndetit në të gjithë botën që po luftojnë COVID-19 çdo ditë & po rrezikojnë jetët e tyre, për të shpëtuar tonat”!

Një urim ka pasur edhe nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

“Faleminderit të gjithë punonjësve të shëndetësisë shqiptarë për përpjekjet e tyre dhe që na mbajnë të sigurt! Do të vazhdojmë të qëndrojmë kah jush”.

Soreca ka përmendur edhe faktin se BE-ja do të vazhdojë të investojë në Shqipëri.

“BE-ja do të investojë më tej në parandalimin e Covid-19, përfshi dhe suportin me vaksinimet”.

7 prilli shënon Ditën Botërore të Shëndetit në mbarë botën. Data simbolike është vendosur për shkak të mbledhjes së parë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më 1948.

Veçanërisht gjatë 2020-ës, sfidat e shëndetit kanë qenë të mëdha. Punonjësit e sistemit shëndetësor janë përballur me vështirësi të shumta në luftën ndaj pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore