Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Chung Eui-Yong, ka deklaruar se pret që Kina të luajë rol ndërmjetësues në stabilizimin e raporteve midis Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut. Ai i bëri këtë ftesë presidentit kinez.
Ndërkaq, SHBA-ja dhe aleatët po ushtrojnë presion mbi Pyongyang-un, zyrtar për armët bërthamore.
“Koreja e Jugut dhe Kina ndajnë qëllime të përbashkëta drejt heqjes së arsenalit bërthamor nga gadishulli korean. Kjo do të ndihmojë në paqen midis dy Koreve dhe stabilizimin e rajonit”, tha Yong.
Ftesa për presidentin kinez, Xi Jingping, është bërë për një moment kur gjendja e Covid-19 të jetë më e qetë.
Këshilltari i shtetit kinez, Wang Yi, zhvilloi një takim me Yong-un në qytetin e Xiamen-it. Kjo ishte hera e parë që prej vitit 2017, që një ministër i Jashtëm koreano-jugor, vizitonte Kinën.
Pas takimit, Wang tha se Kina dhe Koreja e Jugut, kishin rënë dakord që “të promovonin procesin për të zgjidhur politikisht problemet e gadishullit korean”.
Kjo vizitë është domethënëse për të dy shtetet. Tregtia më e madhe e mallrave në Korenë e Jugut, bëhet me Kinën. Por, që prej vendosjes së një sistemi anti-raketë në Korenë e Jugut në vitin 2016, turizmi, kozmetika dhe industria e zbavitjes së kësaj të fundit, u godit.
Ndaj, me stabilizimin e raporteve, pritet që të dy vendet të fitojnë jo vetëm politikisht.
Koreja e Veriut, nga ana tjetër, nuk ka shprehur ende qëndrimin e saj mbi deklaratën e Yong-ut. Kina është kufitare me koreano-veriorët, ndaj një influencë e mundshme ndaj tyre është e pritshme.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com