Lajme

Rusia: Iran-SHBA do t’i rikthehen marrëveshjes bërthamore


Teherani dhe Washington-i janë në rrugë të mbarë për t’iu rikthyer marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Progresi gjithsesi, nuk është i lehtë.

Një shenjë pozitive ka ardhur pasi dy palët kanë rënë dakord të takohen në Vienë të martën.

Marrëveshja e njohur si JCPOA, është nën mbikëqyrjen e Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Kinës, BE-së dhe Rusisë. Të gjitha këto janë pjesëtare në pakt.

Një takim virtual u mbajt midis këtyre vendeve, ku u dakordësuar edhe takimi fizik midis përfaqësuesve të SHBA-së dhe atyre iranianë.

Ambasadori rus në Vienë, Mikhail Ulyanov, e përshkroi takimin si “një mbledhje biznesi”. “Perceptimi është se jemi në rrugë të mirë por ka ende udhë të gjatë përpara dhe do të duhen shumë përpjekje”.

Sipas tij, pozicioni i SHBA-së ka ndryshuar shumë që nga qëndrimi i fundit.

Me ardhjen e administratës Biden, SHBA-ja pati qasje afruese nga marrëveshjes. Gjithsesi, Sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, reagoi duke thënë se “Irani duhet të kryente detyrat e shtëpisë fillimisht”.

Pala iraniane nga ana tjetër, e mori këtë si kërcënim. Thirrje iu bënë SHBA-së, se “gjithçka thuhej nga ata, duhet të ishte e ndërsjelltë”.

Irani mori një hap tjetër të rëndësishëm në shkurt, kur vendosi të mos lejonte më disa vëzhgime të kryera nga Kombet e Bashkuara në centrale bërthamore iraniane.

Në disa prej tyre – të deklaruar prej vitesh si të mbyllur – u gjetën gjurmë uraniumi.

Kjo i ftohu akoma më shumë ujërat midis dy shteteve për marrëveshjen bërthamore. Palët u dukën se u tërhoqën përfundimisht dhe nuk do të kishte kthim pas.

Gjithsesi, palët e treta si Rusia apo BE-ja, ndërmjetësuan bisedime në vazhdim.

Tashmë pritet takimi i të martës në Vienë. Ky i fundit, mund të jetë përcaktues për rikthimin e dy shteteve në marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore