Dreçun: Takimi i 14 shtatorit tregoi fytyrën e vërtetë të Kosovës, Asociacioni është në plan të parë
Ndonëse sipas Bashkimit Evropian takimi i 14 shtatorit në mes të Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç dështoi, për Serbinë prodhoi diçka të mirë meqë “ekspozoi fytyrën e vërtet të Kosovës si palë penguese e arritjes së çfarëdo progresi në dialog”.
Kështu të paktën pretendon i ashtuquajturi Kryetari i Komisionit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Dreçun.
Përpos kësaj, sipas Dreçun, takimi i së enjten betonizoi faktin se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është në plan të parë të dialogut.
“E vetmja gjë e mirë, sipas mendimit tim, është se tashmë është bërë plotësisht e qartë se është pala kosovare ajo që po e pengon arritjen e çfarëdo progresi në dialog dhe se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe tani është në plan të parë meqenëse ishte në plan të dytë”, ka thënë Dreçun në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.
I pyetur për mundësinë e vendosjes së sanksioneve shtesë ndaj Kosovës, Dreçun vlerëson se ky fakt nuk e shqetëson shumë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, meqë në aspektin politik ai nuk humbet poena për shkak të masave të BE-së.
Takimi i nëntë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi përfundoi pa sukses.
Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell për këtë dështim fajësoi Kosovën, ndërsa Serbinë e cilësoi si “palë konstruktive” e cila ishte e “gatshme të pranoi propozimin e Unionit”.
Një shpjegim ndryshe të rrjedhës së takimit e dha Kurti.
Sipas tij lehtësuesit e bisedimeve kanë filluar të operojnë sipas qëndrimeve të Serbisë meqë “kushtëzimi i vjetër i Beogradit” për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është kthyer në qëndrim të emisarëve të BE-së, prandaj një gjë e tillë për të është e papranueshme.
Kurti, deklaroi pas takimit në Bruksel se i vetmi që shkoi me propozim të shkruar në tavolinë ishte ai, por një ditë më vonë Kurti u përgënjeshtrua kur mediat publikuan dokument-propozimin e shkruar të Bashkimit Evropian.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
Krejt çka ndodhi në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut, fituesit dhe humbësit
-
Asnjë subjekt i posaçëm i SPAK nuk ka përfituar nga Amnistia, garanton Bardhi
-
Cameron thotë se Britania e Madhe nuk do të ndjekë SHBA-të në ndalimin e shitjeve të armëve në Izrael
-
Bislimi e uron VMRO-DPMNE-në për fitoren, shprehet i gatshëm të punojë me Mickoskin