Bota

Kina pret rritje ekonomike më të madhe se parashikimet


Rritja ekonomike e Kinës këtë vit mund të shkojë përtej parashikimeve, prej 6%, që ishin pretenduar në fillim të vitit.

Kreu i Këshillit Shtetëror, Li Keqiang, tha se qeveria do ta arrijë këtë duke e përqendruar vëmendjen te zgjerimi i stabilitetit ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës.

“Ne duhet të kërkojmë një balancë mes rritjes ekonomike, të ardhurave dhe punësimit. Nuk mund të vazhdojmë me rritje ekonomike të bazuar në konsum të lartë energjie dhe ndotje të madhe mjedisore”, tha ai në një mbledhje me drejtues biznesesh të huaja.

Mbledhja ishte në formën e një video-konference, që përmbylli Forumin Kinez të Zhvillimit. Konferenca e nivelit të lartë u organizua nga qeveria kineze.

Mes pjesëmarrësve spikatën në rolin e folësve drejtuesi i Tesla-s, Elon Musk-u, si dhe drejtuesi i kompanisë financiare Credit Suisse Group, Thomas Gottstein-i.

Komentet e Li-së erdhën disa ditë pas negociatave të dështuara mes zyrtarëve nga Kina dhe administrata e re presidenciale e SHBA-së. Të dyja palët ia lanë përgjegjësinë njëra-tjetrës për këtë dështim.

Palët u akuzuan mes vetes për një shumëllojshmëri çështjesh, duke filluar nga tregtia e lirë deri te shkelja e të drejtave të njeriut. Tensionet u rritën akoma më shumë në vijim kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, në unison vendosën sanksione ndaj Kinës.

Koalicioni perendimor pretendon për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj komunitetit të Uyghur-ëve në rajonin Xinjiang.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore