Lajme

Publicisti serb: Në Veri janë të implikuar njerëz të Vuçiç-it dhe mercenarë rusë


Rade Radovanoviç, publicist dhe shkrimtar njohur nga Beogradi, thotë se aktualisht në trazirat në Veri të Kosovës janë të implikuar njerëz të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe “mercenarë rusë të koordinuar nga agjentë rusë në terren”.

“Për shkak të protestave masive të qytetarëve, të udhëhequra nga opozita serbe proevropiane, si dhe për shkak të kërkesave që rrezikojnë pushtetin e tij diktatorial, Aleksandar Vuçiç i ka shtyrë serbët në veri të Kosovës në konflikt me policinë kosovare dhe KFOR-in”, tha ai për “KD Politik”. 

Sipas tij, në këto konflikte të rrezikshme, prijnë kriminelët e Vuçiç-it nga Lista Serbe dhe mercenarët rusë të cilët koordinohen nga agjentë rusë në terren.

Ndryshe, që nga orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, qytetarë serbë kanë filluar të mblidhen sërish para objektit të komunës së Zveçanit.

Në ditën e tretë të protestës, këta qytetarë po kërkojnë që kryetari i ri i zgjedhur, shqiptarë të mos hy në objektin e komunës dhe forcat e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës të largohen.

Në Zveçan e Zubin Potok sërish protestë

Në anën tjetër, KFOR-i ka krijuar një mbrojtëse me tela me gjemba, për të penguar qytetarët të afrohen drejt objektit të komunës.

Ndërsa Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë të martës në mbrëmje në Veri të Kosovës ka ndaluar një automjet me targa të Sllovenisë me të cilin ka qenë duke qarkulluar dy shtetas të Serbisë që të njejtit pastaj janë arrestuar.

Lajmi për arrestimin e tyre është kumtuar përmes një komunikate për media.

“Dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, pasi gjatë kontrollit të automjetit që drejtonin janë gjetur dhe janë konfiskuar disa pajisje të kundërligjshme, përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, dokumentacione”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Për të njëjtit është thënë se pas intervistimit ndaj dy personave të dyshuar me vendim të prokurorit kompetent, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Ky institucion i sigurisë, tutje ka bërë të ditur edhe dëshmitë e konfiskuara në cilësi të provave materiale, të cilat është dyshuar se mund të përdoren për veprime të dhunshme

“Një shufër metalike (policore), një maskë kamuflazhi, disa thika, disa emblema me simbole nacionaliste (4 S) dhe flamur serb (4 S), disa lloje të dyshuara të substancave narkotike, telefona celularë, sprej të ndryshëm, sfera metalike, lidhëse plastike, një automjet, një kartelë e veteranëve të luftës së Serbisë, dhe një kartelë të akademisë për siguri e Serbisë dhe një çekan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore