Ministri i Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, Ulsi Manja, këtë të hënë të 29 majit ka deklaruar se ka ardhur koha që në Shqipëri të fillojë puna për hartimin e Kodit të ri Civil.
Ai gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit theksoi se Kodi Civil është miratuar në vitin 1995, ndërsa Kushtetuta është e vitit 1998.
“Praktika ka ecur përpara, dinamika e marrëdhënieve shoqërore dhe juridiko-civile sot kanë avancuar shumë. Shqipëria është në proces përafrimi të legjislacionit me BE-në. Kështu që është sugjerimi i duhur që Ministria e Drejtësisë të fillojë nga puna për hartimin e Kodit të ri Civil”.
Manja në takim foli edhe mbi ecurinë e hartimit të Kodit të ri Penal, për të cilin tha se grupi i punës i ngritur për hartimin e ka tashmë një produkt.
“Ka përfunduar një pjesë e përgjithshme e Kodit Penal. Deri në fund të korrikut grupi i punës do të përfundojë edhe pjesën e posaçme dhe ne do të kemi një draft të hapur për konsultime”.
Sipas Manjës, Kodi Penal është një reformë politiko-juridike dhe edhe ky Kod është hartuar në vitin 1995.
“Kemi ndërhyrë 38 herë në Kodin Penal”, shtoi ai në përfundim të fjalës së tij.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com