Lajme

Murati: Ky dimër ka qenë ndër më të lirët sa i përket kostos së energjisë


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian Tomas Szunyog, në një konferencë për media të përbashkët kanë bërë të ditur ndihmën që u është ofruar qytetarëve në përballje me krizën energjetike përmes pakos së Bashkimit Evropian.

Ministri i Financave. konsideron se ky dimër ka qenë më i lehtë për qytetarët sa i përket përballjes me koston e energjisë elektrike.

Sipas tij, qytetarët nuk kanë pasur një krizë të madhe ne këtë pjesë sepse vazhdimisht janë subvencionuar.

“Qytetarët janë ndihmuar në dy mënyra, fillimisht është ndihmuar që të kemi një bilanc tregtarë më mirë sesa që do të kishim, së dyti qytetarët kanë përfituar për shkak se kanë pasur më shumë mjete në duart dhe xhepat e tyre”.

“Përkundrazi ky dimër konsideroj se ka qenë ndër dimrat më të lirë sa i përket kostos së energjisë elektrike”, ka thënë Murati.

Ai tutje ka bërë të ditur se përmbyllja e masës së subvencionimit të dimrit do të bëhet me 26 prill ose 27 prill, varësisht se kur qytetarët i paguajnë faturat.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian Tomas Szunyog

“Përmbyllja e masës së subvencionit të dimrit do të jetë sot ose nesër varësisht kur e paguajnë qytetarët faturën e energjisë, natyrisht që do të ketë edhe masa të tjera që po ashtu janë paraparë me pakon mbështetëse të Bashkimit Evropian të planifikuar janë edhe 25 milionë euro të tjera që do të jenë përgjatë vitit mbështetje për familjet në nevojë në Kosovë”.

“Kjo vetëm me qëllimin që të lehtësohet barra e faturave të energjisë elektrike”.

Edhe ambasadori i BE-së, Szunyog është shprehur i lumtur që kjo masë ka funksionuar tek qytetarët në mënyrën e duhur.

Si përfundim edhe energjia është kursyer, por edhe faturat kanë qenë më të lira.

“BE-ja i ka mbuluar 4 muaj dhe mbi 200 mijë familje kanë përfituar nga fondet. Mbështetja arrin deri në 50 milionë euro për këta muaj dhe jam i lumtur të theksoj që kjo ka qenë një masë mjaft e suksesshme për ta zbatuar”.

“Kursimi i energjisë është mënyra më e lehtë për ta kaluar këtë krizë si dhe duke marrë parasysh që të gjitha sektorët mund të kursejnë energjinë elektrike”.

I pyetur për rritjen e çmimit të energjisë dhe masat që do të merren nga Qeveria, ministri ka sqaruar se janë në përgatitje të masave të reja.

“Jemi në përgatitje të sipërme të masave që do t’i ndihmojmë qytetarët për këtë pjesë, do të kujdesimi që procedura të jetë më e lehtë në mënyrë që qytetarët të kursejnë energjinë por edhe të mbrohen nga kostoja e lartë e energjisë”.

Në Kosovë, çmimi i energjisë është rritur sërish për 14 për qind.

Paralajmërimet e rritjes së energjisë elektrike kanë ngjallur shqetësimin për një krizë të re në Kosovë.

Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavate rrymë në orë, ndërsa nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1 mijë e 300 megavate në orë.

Këtë diferencë, ajo e importon nga jashtë.

Nga muaji shtator i vitit 2022, Qeveria e Kosovës, i ka subvencionuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore