Stil

John Lennon dhe historia me të dashurën e tij May Pang


“Ishte Yoko Ono ajo që më kërkoi të kisha një lidhje me John Lennon”.

Kështu ka thënë May Pang në “The Lost Weekend: a Love Story”, një dokumentar që mbërrin në kinematë amerikane më 13 prill, 50 vjet më vonë.

Ajo periudhë midis viteve 1973 dhe 1975, e cila zgjati 18 muaj dhe përkoi me një ndarje midis Lennon dhe Ono, është mbiquajtur “fundjava e humbur” (titulli i një filmi të vitit 1945 nga Billy Wilder për një shkrimtar të alkoolizuar), kështu që shumë mendojnë se ishte një fazë teprimesh dhe keqardhjesh.

Asokohe 22 vjeçe, ajo tregon një histori tjetër.

“Në njëfarë kuptimi, Yoko përfitoi nga unë sepse isha naive. Por më bëri edhe një dhuratë: John-i dhe unë ramë në dashuri”.

E lindur në Harlem nga prindër kinezë, e refuzuar nga babai i saj që nuk donte një vajzë, Pang kishte një shpirt rebel dhe një pasion për rock’n’roll .

Me një frymë iniciative, ajo u punësua nga Apple Records dhe më pas u zgjodh nga Yoko si asistente personale e çiftit.

Ajo e di se nuk ishte e vetmja dashuri e Lennon.“Ai donte Cynthia-n, ai donte Yoko-n, por ai më donte edhe mua”.

Sot ajo është një zonjë, e cila u përgjigjet me durim pyetjeve të të gjithë kureshtarëve dhe të gjithë fansave të Beatles-ave.

Por çfarë i tha Yoko asaj?

“Erdhi në zyrën time. Kisha tre vjet që punoja për ta. Dhe filloi: ‘Unë dhe John nuk shkojmë mirë’. Të gjithë ata që punonin me ta e dinin, por ne nuk folëm për këtë, ata ishin shefat tanë”.

Dhe më pas shtoi: “Nuk ke të dashur, apo jo?”.

“Ngrita sytë dhe u përgjigja: ‘Nuk është diçka që më intereson’. Por ajo vijoi: ‘Unë mendoj se do të ishe perfekt’. Unë thashë jo, ajo këmbënguli. Pastaj ajo u ngrit dhe u largua. Dhe unë qëndrova aty duke qarë”.

Më vonë John i tha se edhe Yoko kishte shkuar ta takonte duke i thënë se “gjithçka është rregulluar, mund të dilni me May-n”. Por ai ishte po aq i tronditur sa edhe ajo. Në fillim nuk donte.

Ajo pretendon se Yoko donte të kishte një lidhje me një muzikant tjetër.

“Një herë ajo i tha dikujt se ishte e befasuar që lidhja jonë zgjati kaq shumë, mendoi se do të përfundonte brenda dy javësh”.

Ajo e ka edhe një shpjegim se pse i është rikthyer historisë së saj me John-in pas kaq shumë vitesh. “Me kalimin e viteve njerëzit kanë filluar të rishkruajnë historinë time, pavarësisht nga libri im, ‘Loving John’ i vitit 1983”.

Mikja e saj, regjisorja Eve Brandstein, i kishte kërkuar të bënte një dokumentar 25 vjet më parë, por asokohe i kishte thënë jo. Gjashtë vjet më parë ato folën përsëri për të dhe May ishte gati.

May ka treguar se Yoko shmangu t’ia kalonte telefonatat e djalit të tij Julian te John.

“Isha shumë e shqetësuar për Julian-in. E di si është ndjesia, sepse babai nuk më donte. Unë gjithashtu ndihmova nënën e Julian-it, Cynthia, të rikuperonte një dialog me John-in”.

Përfundimisht, ai u kthye në Yoko.

“Ajo ishte 17 vjet më e madhe se unë. John tha se arsyeja ishte se ai kishte frikë se do t’i refuzonin një kartë jeshile për të qëndruar në SHBA. Yoko i kishte thënë kështu. Për mua ishte një tronditje, ishim gati të blinim një shtëpi së bashku”.

Sakaq, ajo u martua me Tony Visconti, një nga prodhuesit kryesorë të muzikës rock.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore