Lajme

Less: Rreziku i dështimit të marrëveshjes është më i madh se shanset për sukses


Timothy Less

Hulumtuesi në Qendrën për Gjeopolitikë në Universitetin e Kembrixhit, Timothy Less, si të dështuara i cilësoi përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Për momentin, unë do të thosha se rreziku i dështimit është më i madh se shanset për sukses. Qasja e BE-së bazohet në baza të dobëta. Të dyja palët janë ende larg njëra-tjetrës për çështjet qendrore të njohjes dhe autonomisë së serbëve të Kosovës”.

“Asnjëra palë nuk është në nxitim për të zgjidhur çështjen, të paktën në kushte që nuk janë në përputhje me rezultatin e tyre të dëshiruar – ndryshe nga BE-ja, e cila ishte në panik nga lufta në Ukrainë”, tha Less për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Less pohoi se në mungesë të progresit të qartë apo të një vullneti të fortë të të dyja palëve për të arritur një marrëveshje, pasoja e përpjekjeve të deritanishme të BE-së është radikalizimi i politikës në Serbi, pra me nacionalistët serbë që po bëjnë kërcënime të vazhdueshme.

“Anëtarësimi në BE është kryesisht një ‘kartë e djegur’ dhe perspektiva e investimeve evropiane nuk është e mjaftueshme për të bindur shumicën e serbëve të zakonshëm që të dorëzojnë Kosovën ose shqiptarët e zakonshëm që t’u japin autonomi serbëve”.

“Rezultati është një spektakël i çuditshëm, së pari në Bruksel, dhe tani në Ohër, ku BE-ja shpall triumfalisht marrëveshjen e arritur, ndërsa liderët e Serbisë dhe Kosovës vazhdojnë të vënë në dyshim elementët e saj thelbësorë”, përfundoi Less.

Kosova dhe Serbia, më 18 mars u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Tash Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat. Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kryeministri Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore