Financa

Banka e Shqipërisë: 40% e parave jashtë bankave


Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se sasia e parasë jashtë sistemit bankar arriti vlerën rekord të 324.6 miliardë lekëve, ose 2.6 miliardë euro.

Krahasuar me një vit më parë, paraja jashtë bankave është rritur me 14.5%. Për periudhën mars-korrik, paraja jashtë bankave është rritur me 35.5 miliardë lekë (290 mln euro) ose 12.2%.

Në muajin mars, Banka e Shqipërisë ndryshoi formën e ankandeve të marrëveshjeve të riblerjes, për të garantuar furnizim të pakufizuar me likuiditet për bankat tregtare.

Injektimi i likuiditetit nga Banka e Shqipërisë ka sjellë rritje të ndjeshme të ofertës monetare.

Agregati monetar M2, që përfaqëson ofertën e parasë në lekë ka prekur gjithashtu vlerën më të lartë historike, në vlerën e 815 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 9.4%.

Raporti i parasë jashtë bankave me agregatin monetar M2 në fund të korrikut arriti në 39.8%.

Kjo shifër përfaqëson nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2002, kur nis edhe seria e të dhënave statistikore që disponon Banka e Shqipërisë.

Rritja e parasë jashtë bankave pranë niveleve të një periudhe kur ekonomia kishte një shkallë shumë më të ulët formalizimi është tregues tejet domethënës që nuk gjen shpjegim vetëm me epideminë apo sezonin veror.

Po të shohim ecurinë e këtij treguesi në kohë, raporti i parasë jashtë bankave kundrejt agregatit monetar M2 është në rritje graduale prej shtatë vitesh. Nga afërsisht 28% që ka qenë në vitin 2013, ky tregues është afruar në kufijtë e 40%.

Ekspertë nga tregu financiar shprehen se normat e ulëta të interesit mund të kenë nxitur huadhënien informale, në kërkim të interesave më të larta.

Por, as interesat e ulëta nuk mund të justifikojnë plotësisht rritjen e fortë të parasë jashtë bankave, për një ekonomi që supozohet që duhet të ulë gradualisht nivelin e informalitetit, shkruan.

Rritja e raportit të parasë jashtë bankave dëshmon se jashtë kanaleve formale po qarkullojnë më shumë para, duke krijuar hapësira për një mbizotërim të mëtejshëm të ekonomisë cash, e cila favorizon evazionin fiskal dhe pastrimin e parave nga aktivitetet e jashtëligjshme.

Pandemia e Covid-19 dhe faktorët e lidhur me të po theksojnë më shumë rezultatet e dobëta në drejtim të formalizimit të ekonomisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore