Pajisje

Administrata Biden ashpërsohet me Huawei-n


Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka njoftuar disa furnitorë të Huawei-t të Kinës për kushte më të forta të licensave të ekspertit duke ndaluar artikujt dhe pajisjet me përdorim në rrjetin 5G.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se ndryshimet e kryera mund të prishin kontratat ekzistuese me Huawei-n për të cilat ishte rënë dakord sipas licensave të mëparshme.

Ky veprim i administratës tregon për ndjekjen e një linje “të ashpër” kundrejt prodhuesit të pajisjeve telekomunikuese, i cili është vendosur në listën e zezë të tregtisë amerikane për shkak të shqetësimeve për sigurinë kombëtare në vend.

Departamenti i Tregtisë në SHBA nuk ka pranuar të komentojë me arsyetimin se informacioni i licensimit i nënshtrohet konfidencialitetit. Gjithashtu edhe një zëdhënës i kompanisë nuk ka pranuar të komentojë.

Licensat e mëparshme u dhanë nga Departamenti i Tregtisë në vitin 2019, ndërsa kushtet e reja i kthejnë licensat e vjetra në më konsistente krahasuar me politikat e ashpra të ndjekura gjatë administratës Trump.

Çfarë bëri Trump-i? 

Administrata e Trump-it në mujain janar vendosi që të mohonte 116 licensa me vlerë totale nominale 119 miliardë dollarë. Ndërkohë aprovoi vetëm katër me vlerë 20 milionë dollarë.

Sipas dokumentit të departamentit, shumica e tyre që u mohuan i përkisnin kategorive të aparateve, pajisjeve dhe aplikacioneve të lidhura me rrjetin.

Mirëpo, Reuters sqaron se qasja e Trump-it ndaj Huawei-t ishte jo-konsistente. Kur kërkonte vendosjen e një marrëveshjeje tregtare, e hapte derën për më shumë shitje me kompaninë. Ndërsa kur tensionet fillonin të rriteshin, politikat ashpërsoheshin.

Pasojat e kufizimeve të reja

Sipas burimeve të Reuters, kufizimet e reja në licensa dëmtojnë disa nga furnitorët. Gjithashtu barazojnë fushën e lojës midis kompanive pasi disa prej tyre morën licensa nën politikat më pak kufizuese.

Në bazë të licensave të reja, Huawei ose klientët, duhet të zbatojnë një plan të kontrollit të pjesëve dhe të bëjnë inventarin në dispozicion të qeverisë amerikane.

Vendosja e kompanive në listën e zezë të tregtisë për shkak të sigurisë kombëtare, bënë që licensat për të realizuar shitje përballen me një standard të mohimit të mundshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore