Lajme

Liberalizimi i vizave për Kosovën është vonuar, thotë Komisionerja Johansson


Komisionerja e Bashkimit Evropian për Çështje të Brendshme, Ylva Johansson, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës, ka vlerësuar se vendimi për heqjen e vizave duhet të merret tani.

Ajo potencoi rëndësinë e bindjes së shteteve anëtare të BE-së të marrin sa më shpejtë këtë vendim duke thënë që Komisioni Evropian mund të ndihmojë për të bindur shtetet anëtare që të arrijnë në konkludim se Kosova duhet t’i bashkohet udhëtimit pa viza .

“Liberalizimi i vizave për Kosovën është shumë i vonuar. Është vërtet koha për të marrë një vendim tani”, tha Johansson.

Komisionerja përgëzoi Kosovën për arritjet gjatë kësaj periudhe duke konsideruar se këto arritje do duhej të bindnin shtetet anëtare të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave.

“Më lejoni të them gjithashtu se dëshiroj ta përgëzoj Kosovën për të gjitha arritjet që i keni arritur kohët e fundit sa i përket përmirësimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe veçanërisht luftimin e krimit të organizuar”, shtoi ajo.

Sipas saj, “kjo sigurisht do të ndihmojë në radhë të parë shoqërinë dhe qytetarët e Kosovës që të kenë një shoqëri më të sigurt, por edhe të bindë shtetet anëtare të BE-së, ato që duhet të binden, për marrjen e vendimit për liberalizim të vizave”.

Më 27 qershor, zyrtari për komunikim në zyrën e Bashkimin Evropian Nikola Gaon, ka thënë për Albanian Post se Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë të angazhohet për liberalizimin e vizave edhe pse për një gjë të tillë nuk u vendos në Samitin e Bashkimit Evropian që u mbajt në Bruksel më 23 dhe 24 qershor.Por, ai thotë se “meqë një kohë vetë kam përjetuar regjimin e vizave bashkëndjejë plotësisht me qytetarët e Kosovës që ende u duhet të aplikojnë e presin në radhë para ambasadave për viza”.

Megjithatë, ai thekson se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, veçse për këtë u takon shteteve të BE-së të marrin vendimin përfundimtar.

“Siç e dini, Komisioni Evropian konfirmoi në korrik të 2018 se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave të miratuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe se Parlamenti Evropian gjithashtu ka bërë thirrje për një regjim pa viza për Kosovën. Megjithatë, i takon shteteve anëtare të BE-së të përfaqësuara në Këshillin e BE-së që të marrin vendimin përfundimtar”, shtoi Gaon.

Ndryshe, kancelari gjerman Olaf Scholz, gjatë vizitës në Kosovë përmendi edhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Vetëm sa për të rikonfirmuar se Gjermania tashmë e trumbeton prej kohësh që Kosova ka plotësuar kushtet dhe meriton vizat.

Përveç Parlamentit, edhe Komisioni Evropian në vitin 2018 kishte konstatuar përmbushjen e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, por që deri tash ka munguar vendimmarrja në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Ndërsa Holanda dhe Franca kanë qenë skeptikët më të mëdhenj për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore