Lajme

Pahor: Qeveria e Kosovës dhe Sllovenisë kanë pikëpamje të njëjta për Ballkanin Perëndimor


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Sllovenisë, Borut Pahour.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit me homologun e saj të Sllovenisë, Borut Pahor në një konferencë për media kanë bërë të ditur se kanë diskutuar për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sllovenisë.

Ai ka thënë se të dy vendet vazhdojnë të kenë marrëdhënie të shkëlqyeshme në aspekte të ndryshme.

“Marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme, në aspektet ekonomike, politike dhe kulturore si dhe në aspektet njerëzore. Siç e dini, qysh në vitet e tetëdhjeta Sllovenia e mbështeti përpjekjet e Kosovës që të bëhet shtet i pavarur”.

Pahor konsideron se pikëpamjet e të dy vendeve janë të ngjashme.

“Ne ndihmuam në të gjitha mënyrat që mundëm. Kemi marrëdhënie të mahnitshme. Për Ballkanin Perëndimor ndajmë të njëjtat pikëpamje, të dy qeveritë kemi pikëpamje të njëjta. Për integrimin e rajonit në strukturat euro-atlantike”.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahour.

Ndërsa ka përmendur edhe luftën në Ukrainë dhe trazirat që mund të shkaktojnë.

“Lufta në Ukrainë mund të përshkallëzoj situatën në rajon, veçanërisht nëse ka një ndjenjë në mes të liderëve të rajonit se BE-ja nuk shqetësohet rreth asaj se çfarë roli gjeopolitik ka rajoni siç duhet ta ketë. Ky interes i pakët ndaj rajonit mund të nxisë akterë të huaj që duan të shkaktojnë trazira të cilat askush nuk dëshiron ti shohë në rajon”.

Osmani: Asgjë nuk mund të na largojë nga rruga evropiane

Presidentja, ka rikujtuar historikun e gjatë të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Siç e dimë kemi të përbashkët një histori të gjatë mes vete, dhe marrëdhënie të ngrohta përzemërsisht. Por edhe të ardhme të përbashkët. Sllovenia për një kohë të gjatë ka qenë mbështetëse e Kosovës. Sllovenia është shembull i jashtëzakonshëm i asaj se çfarë mund të arrihet përmes përparimit ekonomik dhe i integrimeve euro-atlantike. Është shembull i ndritshëm”.

Sa i përket rrugëve evropiane, e para e Kosovës theksoi se nuk do të dorëzohen në këtë drejtim si shtet.

“Për neve, që jemi vendi më pro-evropian, vendi më pro-NATO në planet dhe jo vetëm në rajon, asgjë nuk mund të na largojë nga rruga evropiane pavarësisht pengesa në rrugë, ne asnjëherë nuk heqim dorë. Ne jemi reformatorët numër një në rajon kur vjen puna te sundimi i ligjit, ruajtjen e të drejtave të njeriut, fuqizimin e demokracisë”.

“Gjithashtu, besojmë se edhe me ndihmën e Sllovenisë, çështjen e liberalizimit të vizave do ta shpiem në konkluzion njëherë-e-përgjithmonë, gjatë presidencës çeke, një mbështetëse e madhe e popullit tonë”.

Osmani e pyetur nga gazetarët nëse dialogu është duke vazhduar, ajo është përgjigjur se nuk është ndërprerë asnjëherë.

“Kur jemi te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në fakt procesi është i vazhdueshëm. Shumë shpejt gjatë korrikut besoj, por procesi ka qenë i vazhdueshëm, dhe kemi arritur një marrëveshje për një Udhërrëfyes për Energjinë, e cila ka qenë shumë e rëndësishme për të bërë kapërcim në procesin e bisedimeve dhe ka pasur zhvillime pozitive në marrëveshjen për zhdukjen me forcë të personave që është hap i rëndësishëm drejt paqes dhe ripajtimit në tërë rajonin”.

“Kosova gjatë tërë procesit ka treguar se është konstruktive e angazhuar në mënyrë aktive, dhe ajo çfarë kemi prezantuar gjithmonë ka kontribuar në më shumë paqe dhe në qëndrueshmëri më afatgjate në tërë rajon, do tzë vazhdojmë me këtë qasje konstruktive”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Ndërsa, ka treguar edhe arsyen e vizitës së saj në Slloveni.

“Kjo vizitë nuk ka të bëjë vetëm me zhvillimet në kontinentin tonë, por edhe me thellimin e marrëdhënieve tona dy-shtetërore dhe bashkëpunimit. Sot isha tejet e kënaqur për të diskutuar për potencialin e thellimin të bashkëpunimit ekonomik dhe biznesore, si dhe fushat e tjera”.

Ndër të tjera, bëri të ditur se do të dekoroj ushtrinë sllovene me medalje presidenciale.

“E informova gjithashtu presidentin se do ta dekoroj ushtrinë sllovene me medalje presidenciale për kontributin e tyre si pjesë e misionit të NATO-s; afro 10 mijë ushtarë sllovenë kanë kontribuar në Kosovë për paqen dhe sigurinë në këto dy dekadat e fundit dhe sot këtë medalje do ta ndajë si shenjë mirënjohje në emër të popullit të Kosovës”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Sllovenisë, Borut Pahour.

Ajo tutje ka falënderuar presidentin e Sllovenisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Sllovenia vazhdon të jetë një zë i vazhdueshëm mbështetës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si dhe aplikimin tonë të pashmangshëm për statusin e vendit kandidat në BE. Përveç marrëdhënieve të shkëlqyeshme shtetërore, e falënderoj zotin president Borut Pahor për mbështetjen e tij, i cili historikisht ka qenë dikush që jo vetëm na ka kuptuar por në mënyrë proaktive ka mbështetur paqen dhe prosperitetin e të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me ceremoni shtetërore në Slloveni, të hënën e 4 korrikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore