Shqipëria

Berisha i takon të gjithë…përveç Belind Këlliçit


I takoi të gjithë…përveç personit, të cilin më së shumti e ka lakuar në muajt e fundit.

Sali Berisha, pas ardhjes së tij të radhës në krye të Partisë Demokratike, ka nisur një sërë takimesh në vazhdën e të bërit opozitarizëm në Shqipëri dhe pjesë e këtyre mbledhjeve, janë persona, të cilët kanë filluar të marrin poste me rëndësi në partinë e djathtë politike.

Një ndër ta, është sigurisht edhe kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cili u votëbesua edhe si anëtar i Këshillit Kombëtar demokrat, madje duke rrokur më së shumti vota se çdo kandidat tjetër.

Mirëpo, ky rezultat, nuk i shkoi shumë për shtat aktivistes republikane, e cila i është gjendur Berishës pranë në lëvizjen e foltoreve, Evi Kokalari.

Kjo e fundit, e pati akuzuar Këlliçin se ka ushtruar presion tek strukturat e FRPD-së për të marrë vota dhe më tej retorika e tyre është zhvendosur, deri sa ka arritur edhe në Gjykatë së fundmi.

Mirëpo, gjatë një takimit të 20 qershorit mbi sfidat e sistemit gjyqësor, ra në sy një detaj aspak i zakontë, në çastin kur Berisha mbërriti në sallë.

Ai takoi pa përjashtim të gjithë pjesëmarrësit, përveç njërit: Belind Këlliçit.

Ky i fundit po bisedonte me gazetarin Alfred Lela, i cili sapo është zgjedhur si drejtor i Zyrës së Shtypit në PD.

Me të parë Berishën teksa po afrohej, Këlliçi e ndërpreu bisedën me Lelën. Por, në çastin kur kreu i PD-së shkoi për nga deputeti i ri demokrat, ai nuk i dha dorën, siç bëri me pjesën tjetër të sallës (jo të paktë).

Është kjo thjesht një rastësi? Apo diçka ka ndodhur edhe mes Berishës e Këlliçit, me rastin Kokalari?

Kjo gjë nuk dihet, por shprehia e Belindit, ajo çfarë shihet nga video e çastit të paktën, duket së paku jo e pëlqyeshme ndaj aktit të kryetarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore