Sport

Haaland, zëvendësimi i Benzema te Real Madrid-i në vitin 2024


Real Madrid planifikon të nënshkruajë me sulmuesin Erling Haaland në vitin 2024 si pasues të Karim Benzema, sipas Diario AS.

Reprezentuesi norvegjez do t’i bashkohet kampionëve të Premierligës Manchester City nga Borussia Dortmund më 1 korrik me një kontratë pesëvjeçare.

Kontrata e tij me City thuhet se përfshin një klauzolë lirimi që mund ta bëjë atë të largohet pas dy vitesh nëse paguhet një tarifë prej 149 milionë euro.

Pavarësisht mungesës së nënshkrimit të sulmuesit francez Kylian Mbappe, i cili vendosi të qëndrojë në Paris Saint-Germain, Madridi nuk është në treg për një sulmues të ri këtë verë.

Trajneri i Madridit, Carlo Ancelotti beson se ai e ka të mbuluar mirë linjën e tij sulmuese me Karim Benzema, Vinicius Jr., Rodrygo dhe Marco Asensio.

Prioriteti i Madridit tani është që Benzema dhe Vinicius të nënshkruajnë marrëveshje të reja.

Vinicius, 21 vjeç, ka edhe dy vite nga kontrata e tij dhe i është ofruar një kontratë e re afatgjatë.

Benzema, 34 vjeç, është nën kontratë deri në qershor 2023 dhe pritet të nënshkruajë një vazhdim të kontratës edhe për një vit pas sezonit të tij mbresëlënës.

Sulmuesi francez pritet të fitojë Topin e Artë këtë vit pasi shënoi 44 gola në 46 ndeshje për të ndihmuar Real Madridin të fitojë La Ligën dhe Ligën e Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore