Lajme

Supremja vendosi në favor të ZRRE-së për faturat rrymës, PDK do ta dërgojë në Kushtetuese


Faton Fetahu nga Partia Demokratike të Kosovës e ka cilësuar si vendim të dëmshëm për qytetarët vendimim e Gjykatës Supreme e cila ka prishur aktvendimin e Apelit dhe Themelores, duke e konsideruar si të pabazuar kërkesën-propozimin e paditësit Partia Demokratike e Kosovës, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurit Zyra e Rregullatorit për Energji.

“Gjykata Supreme nuk i shqyrtoi fare pretendimet tona, fare nuk janë trajtuar pretendimet e palëve dhe janë shkelur garancionet kushtetuese. Me autorizim tashmë kam filluar procesin e këtij vendimi dhe të njëjtin do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, këtë do ta bëjmë në dy javët e ardhshme”, tha Fetahu gjatë një konference për media.

Sipas tij, “vendimi I Supremes pretendon që parashtruesi i kërkesës që ne nuk ofruar fakte që vendimi për rritje të çmimit të rrymës nuk ka ofruar fakte”.

“Dëmi është shkaktuar për qindra qytetarë, është kusht që Supremja nuk e ka bërë punën e saj në pajtim me ligjin dhe ka ra ndesh me garancionet kushtetuese”, shtoi ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, ka theksuar se Gjykata Supreme ka anuluar vendimet e Themelores dhe Apelit, “të dyja këto gjykata kanë qenë të një mendimi që kjo rritje është bërë në kundërshtim me ligjin”.

“Ne si PDK e kundërshtojmë ashpër këtë vendim të Supremes, duke e konsideruar si vendim të ndikuar nga Qeveria aktuale. Po të mos ishte kështu e ndikuar do të vendoste ashtu sikur do ta udhëzonin normat dhe ligjet dhe si kanë vendosur Apeli dhe Themelorja”, theksoi Abdullahu.

Ndërsa Zyra e Rregullatorit për Energji ka njoftuar se vendimi i Bordit të ZRRE-së i marrë më 8 shkurt 2022, mbetet në fuqi.

“Ashtu siç kemi theksuar edhe më herët, Bordi i Zyrës së  Rregullator të Energjisë gjatë gjithë punës së tij ka zbatuar në mënyrë të drejtë dispozitat ligjore në fuqi dhe ka ushtruar funksionet në mënyrë të pavarur. Bordi i ZRRE-së rikujton se  çmimet e përcaktuara janë duke garantuar qëndrueshmëri dhe siguri në sistemin energjetik, rrjedhimisht reflektojnë kostot e sistemit”.

Sipas ZRRE-së, mbrojtja e konsumatorëve dhe e gjithë sistemit energjetik janë thelbësore për zgjidhje sistematike dhe afatgjate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore