Lajme

Presidenti i KE-së, Charles Michel, pasditen e së martës ateron në Kosovë


Charles Michel, President i Këshillit të Evropës

Përveç ministrit të jashtëm austriak, Aleksandër Schalenberg këtë të martë në Kosovë do të vijë edhe Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel.

Për dallim nga austriaku që tashmë ka ateruar në Kosovë dhe është pritur nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Michel, vjen në Kosovë pasdite.

Vizita e Presidentit të Këshillit të Evropës në Kosovë do të jetë dy ditore.

Bashkë me të në Kosovë do të vijë edhe një delegacion shoqërues.

Organet e rendit në Kosovë janë kujdesur për të ofruar siguri. Sipas një njoftimi publik të policisë, bëhet e ditur se uniforma blu e shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të ofruar sigurinë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të këtij delegacioni në Kosovë.

Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” në drejtim të kryeqytetit në rrugët ku lëviz eskorta, policia do të ndërpres përkohësisht dhe në intervale të shkurtëra kohore qarkullimin e trafikut në disa segmente rrugore.

“Po ashtu edhe në ditën e kthimit (pasdite) me 15 qershor, sipas agjendës zyrtare do të ndërmerren veprimet e njëjta policore, të lëvizjes së eskortës nga kryeqyteti në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, në rrugët të cilat përdoren për qarkullim të eskortës”, njofton policia.

Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

Kujtojmë se kjo është vizita e parë e Presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel, në Kosovë.

Pas vizitës në Kosovë, Michel më 15 qershor do të qëndrojë në Maqedoni të Veriut, dhe më pas do ta vizitojë edhe Malin e Zi.

Ky është turneu i dytë i vizitave në Ballkanin Perëndimor që Michel ka zhvilluar, pasi në maj ai vizitoi Serbinë, Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Por para Kosovës, Presidenti i Këshillit Evropian qëndroi për një vizitë në Shqipëri më 20 maj.

Michel gjatë vizitave në Ballkan do të bisedojë me liderët e shteteve për raportet e tyre me Bashkimin Evropian, për situatën në rajon pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për takimin e përbashkët të liderëve të BE-së dhe Ballkanit, që pritet të mbahet në Bruksel më 23 qershor.

Pritet që kreu i Këshillit Evropian ta shfrytëzojë këtë vizitë edhe për të sqaruan idenë e tij për krijimin e një “Bashkësie gjeopolitike evropiane”, që ka thënë se do të bashkonte vendet e BE-së dhe shtetet evropiane që nuk janë në bllok, por që ndajnë vlera të përbashkëta.

Michel ka deklaruar më herët se ka nisur konsultimet me liderët e 27 shteteve të bllokut për idenë e tij.

Në samitin e 23 qershorit, ai pritet që të diskutojë me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor. Samiti BE-Ballkani Perëndimor do të zhvillohet në ditën kur do të nisë edhe samiti i rregullt i dyditor BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore