Lajme

Vdekja e dy shkencëtarëve iranianë – ‘Izraeli i dyshuari kryesor’


Ata të dy u diplomuan në universitetet më të mira të Iranit – të rinj, të shëndetshëm dhe atletikë – para se të sëmureshin papritur në fund të majit.

Dy shkencëtarët u sëmurën gjithnjë e më rëndë dhe përfunduan në njësitë e kujdesit intensiv të spitaleve në dy qytete të ndryshme, afërsisht 400 milje larg njëri-tjetrit.

Më pas, të dy vdiqën brenda pak ditësh.

Irani beson se Izraeli i vrau duke helmuar ushqimin e tyre.

Kjo sipas një zyrtari iranian dhe dy personave të tjerë afër qeverinë, të cilët folën për prestigjiozen “New York Times” në kushte anonimiteti, për shkak të ndjeshmërisë së temës.

Njëri prej tyre, Ayoub Entezari, ishte inxhinier aeronautik, i cili punonte për një qendër kërkimore ushtarake dhe tjetri, Kamran Aghamolaei, ishte gjeolog.

Duke e komplikuar misterin pas vdekjes së tyre, media izraelite dhe kanalet e lajmeve persiane jashtë vendit raportuan se Aghamolaei punonte në objektin bërthamor të Iranit në Natanz.

Por miqtë e mohuan këtë dhe thanë se ai punonte për një kompani private kërkimore gjeologjike.

Entezari kishte një doktoraturë në aeronautikë dhe punoi në projekte në lidhje me raketat dhe turbinat e avionëve për një qendër qeveritare të hapësirës ajrore në qytetin Yazd, rreth 390 milje në juglindje të kryeqytetit, Teheran.

Ai pati simptoma të helmimit nga ushqimi, pasi mori pjesë në një darkë në të cilën ishte ftuar në Yazd, sipas një anëtari të stafit të një zyrtari të lartë iranian.

Pritësi i darkës ishte zhdukur dhe autoritetet po kërkonin për të.

Aghamolaei sapo ishte kthyer në Teheran nga një udhëtim pune në qytetin veriperëndimor të Tabrizit, kur pati të përziera dhe diarre intensive.

Gjendja sa erdhi dhe u përkeqësuan çdo ditë, derisa organet e tij ndaluan së funksionuari dhe ai vdiq.

Nëse, siç dyshon Irani, këto vdekje misterioze të ngjashme do të ishin vrasje të shënjestruar, do t’i përshtatej modelit të një lufte në hije me Izraelin që ka parë që të dyja palët të godasin njëra-tjetrën me mjaft fshehtësi për të shmangur një luftë të plotë.

Tani ajo luftë në hije duket se po intensifikohet.

Vetëm në dy javët e fundit, një seri vdekjesh të lidhura me Izraelin kanë tronditur Iranin.

Izraeli duket se i ka zgjeruar objektivat e tij nga figura të larta të lidhura me programin bërthamor te personeli ushtarak dhe shkencëtarët e nivelit më të ulët.

Një zëdhënëse e zyrës së kryeministrit izraelit nuk pranoi të komentonte mbi dy vdekjet e fundit brenda Iranit.

Por Izraeli ka punuar në mënyrë klandestine për vite me radhë për të minuar programet bërthamore dhe të armëve të Iranit, duke përfshirë vrasjet në shënjestër të ekspertëve të përfshirë në ato përpjekje.

Gjithashtu ajo ka sulmuar vendet ushtarake iraniane, duke zhvilluar drone dhe raketa të avancuara.

Irani, nga ana tjetër, është përpjekur të synojë qytetarët izraelitë anembanë botës dhe ka armatosur e financuar milicitë rajonale armiqësore ndaj Izraelit, si Hezbollahu në Liban.

Por pjesa më e madhe e konfliktit është përqendruar rreth programit bërthamor.

Përplasjet për programin bërthamor

Izraeli kundërshton me vendosmëri përpjekjet, megjithëse të lëkundura, për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore – nga e cila Presidenti Donald J. Trump u tërhoq në vitin 2018.

Marrëveshja lehtësoi ndëshkimin e sanksioneve ekonomike ndaj Teheranit në këmbim të kufizimit të aktivitetit bërthamor të Iranit.

Izraeli mendon se marrëveshja nuk i kufizon mjaftueshëm aktivitetet bërthamore të Iranit në një kohë kur është thellësisht i shqetësuar se vendi është afër prodhimit të uraniumit të pasuruar mjaftueshëm për të prodhuar një armë bërthamore.

Mbështetësit e marrëveshjes bërthamore, megjithatë, thonë se ajo do të kufizojë pasurimin e uraniumit të Iranit, do të lejojë mbikëqyrësin bërthamor të Kombeve të Bashkuara të rifillojë monitorimin e programit bërthamor iranian dhe të zvogëlojë kërcënimin e Iranit për zhvillimin e armëve bërthamore.

Irani ka pohuar prej kohësh se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore.

Por një vlerësim i inteligjencës amerikane vite më parë arriti në përfundimin se dikur vendi kishte një program të armëve bërthamore, më pas e ndërpreu atë në 2003.

Nëse negociatat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të 2015 dështojnë dhe Irani përshpejton aktivitetet e tij bërthamore, ose redukton më tej bashkëpunimin me vëzhguesit e OKB-së, lufta e fshehtë me Izraelin rrezikon të shpërthejë në një konflikt të hapur.

Vdekjet që ndjekin vdekjet

Gjatë dy javëve të fundit në Iran, një anëtar i lartë i Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare, Sayad Khodayee, u shënjestrua dhe u vra nga të shtënat me makinë në Teheran.

Një inxhinier i ri i Ministrisë së Mbrojtjes u vra në një sulm me dron. Dhe një tjetër anëtar i lartë i Gardës Revolucionare ra në mënyrë të dyshimtë për vdekje nga ballkoni.

Më pas, të dy shkencëtarët vdiqën. Entezari, 35 vjeç, vdiq më 31 maj.

Një koleg, nga qendra kërkimore ushtarake ku ai punonte, në mediat sociale tha se ishte mirë një natë para se të sëmurej befas dhe mediat iraniane raportuan se askush tjetër në familjen e tij nuk ishte sëmurë, megjithëse të gjithë kishin konsumuar të njëjtin ushqim.

Zyrtarët iranianë kanë qenë edhe më të heshtur për Aghamolaei, 31 vjeç, i cili vdiq më 2 qershor.

E vetmja përmendje zyrtare e vdekjes së zotit Aghamolaei ishte një deklaratë ngushëllimi nga presidenti i Universitetit, Tarbiat Modares, në Teheran, i cili thoshte se ai ishte një student i doktoraturës në gjeologji.

Deklarata më pas pretendonte se ai kishte vdekur nga një atak në zemër në qytetin e tij të lindjes, Izeh, një zonë e vogël e klasës punëtore në provincën jugore të Khuzestanit.

Familja është duke pritur për rezultatin e një raporti të autopsisë nga zyra e mjekësisë ligjore e drejtuar nga qeveria.

Por, duke pasur parasysh ndjeshmërinë rreth rastit, të afërmit shqetësohen se rezultati i autopsisë mund të mos ndahet me ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore