Vende

Stefano Boeri Architetti përzgjidhet për të zhvilluar sitin arkeologjik në Durrës


Studiot Stefano Boeri Architetti dhe SON Architects janë shpallur fituese të tenderit për ruajtjen, përmirësimin dhe planifikimin e gërmimeve arkeologjike të Amfiteatrit, Forumit Bizantin dhe Banjave Romake në qendrën historike të Durrësit.

Ky tender është organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF).

Fituesit, në mbështetje të vizionit afatgjatë për qytetin e Durrësit, do të jenë përgjegjës edhe për projektimin e një sërë shtigjeve urbane me synimin për të rilidhur atraksionet kryesore historike me bregdetin dhe portin e qytetit.

Amfiteatri, i cili daton nga fillimi i shekullit të II-të, është dëshmi e historisë së gjatë të qytetit.

Paçka se është neglizhuar për shkak të mungesës së burimeve financiare dhe përpjekjeve të ngadalta të ruajtjes, ai tërheq gati 20 mijë vizitorë në vit.

Çka ravijëzon rolin qendror që luan në identitetin dhe jetën shoqërore të qytetit.

Shtigjet e propozuara synojnë të integrojnë zonën në një strukturë urbane aktualisht të fragmentuar dhe të theksojnë rëndësinë e saj, duke e bërë zonën më të aksesueshme si për banorët, edhe për vizitorët.

Sakaq, Banjat Romake mbulojnë një sipërfaqe prej 700 metra katrorë me më shumë struktura që presin të gërmohen.

Kurse vendi arkeologjik i Forumit Bizantin mbulon rreth 2 mijë e 530 metra katrorë dhe përmban mbetjet e një portiku të rrumbullakët me një podium në qendër që mbetet pjesërisht nën nivelin e rrugëve përreth.

Aktualisht, të dyja zonat janë të ndara nga njëra-tjetra nga një brez i ngushtë i pagërmuar dhe janë të mbyllura për publikun.

Stefano Boeri Architetti dhe SON Architects do të punojnë me agjencitë qeveritare përgjegjëse dhe me grupe specifike interesi nga sektori publik kombëtar dhe rajonal, OJQ-të, sektorët akademikë dhe privatë, si dhe universitetet përkatëse.

Projekti do të financohet dhe menaxhohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës.

Nisma ripohon interesin e Stefano Boeri Architetti për trashëgiminë arkeologjike, siç është shprehur tashmë përmes projekteve si Domus Aurea në Itali dhe Parku Arkeologjik i Ostia Antica.

Studioja ka qenë gjithashtu kontribuese aktive në skenën arkitekturore të Shqipërisë, duke u angazhuar në zhvillimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të qytetit të Tiranës.

Projekte të tjera në zonë përfshijnë Masterplanin e Pyllit Vertikal për Tiranën 2030, projektimin e lagjes së Lumit të Tiranës dhe një plan për të transformuar shkollat në hapësira të përziera për komunitetet e tyre.

Marrë nga “ArchDaily”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore