Kosova

Punësimet në KEK, Agjencia Kundër Korrupsionit nis mbledhjen dhe trajtimin e informatave


Ilustrim

Agjencia Kundër Korrupsionit ka njoftuar se ka nisur mbledhjen dhe trajtimin e informatave relevante duke përfshirë edhe kontaktin me autoritetin përgjegjës për parandalim të interesit në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës, pas pretendimeve se në konkursin e fundit në KEK ka pasur punësim të militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, AKK ka bërë të ditur se ajo – edhe pse e ka të lejuar – nuk do të ndërmarrë procedura hetimore administrative pasi që tashmë për të njëjtin rast Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar procedurë hetimore.

“Zhvillimi i procedurave hetimore administrative pushojnë në rastet kur për temën e njëjtë zhvillohen hetime penale, nga Policia e Kosovës apo Prokuroria. AKK është institucion kompetent për trajtimin e rasteve të pretenduara për konflikt te interesit sipas ligjin nr. 06/L-011”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Ndryshe të mërkurën e 6 prillit, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka dorëzuar kallëzim penal në lidhje me punësimet e fundit në KEK.

Hapja e konkursit në mes të dy raundeve të zgjedhjeve lokale, për kryesuesin e departamentit për çështje ligjore të LDK-së Shkëmb Manaj është dëshmia më e fortë që konkursi ka pasur motive politike.

“Ju e dini që LVV në raundin e parë të zgjedhjeve në nivel të komune ka pësuar humbje të thellë dhe këtë konkurs dhe konkurse tjera ndërmjet dy raundeve të zgjedhjeve e ka bërë me qëllim që të favorizojë militantët e tyre partiake dhe kjo të ndikojë në procesin zgjedhor të raundit të dytë të zgjedhjeve”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mohuar në mënyrë kategorike pretendimet, se të punësuarit e fundit në KEK kanë lidhje familjare apo janë militantë të Lëvizjes Vetëvndosje.

“Nuk ka punësim të militantëve, ka komisione të cilët bëjnë një vlerësim pasi që ka teste edhe me shkrim edhe intervistim dhe gjithashtu ka edhe të drejtë ankese, nëse ka pasur ndonjë parregullsi apo padrejtësi ankesa dhe shqyrtimi do ta rregullojë”, ka thënë Kurti gjatë vizitës së tij në Radion në gjuhën rome në Prizren “Romano avazo”, kështu duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit.

Kategorik në mohim ishte edhe sekretari për media dhe komunikim në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, duke njoftuar publikun se partia e tij nuk është e përfshirë në punësime partiake dhe se ka qenë gjithnjë kundër praktikave të punësimit me kriter përkatësinë politike.

Ai madje ka bërë të ditur se në ditëve në vijim do të bëhen edhe paditë përkatëse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore