Shqipëria

Në Tiranë feminizmi “vjen” përmes Klubit të Librit


Debat ndryshe, debat i orientuar, i profilizuar në një fushë apo kauzë që të rinj dhe të reja, por jo vetëm, besojnë.

“Rikthimi te libri” nëpërmjet një klubi të profilizuar, i cili gjendet në Tiranë.

Koordinatorja Klodiana Beshku, për Albanian Post rrëfen gjithë rrugëtimin e atij që sot quhet Klubi Feminist i Librit, sesi projekti nuk mbeti vetëm në letër, duke u vënë në zbatim.

“Klubi ynë lindi bashkë me idenë për të nxitur të rinjtë drejt leximit, reflektimit, natyrës, që të marrin më shumë kohë për veten”.

Për iniciatoret, përzgjedhja ishte si “habi”, pasi “menduam se në këto nisma preferohen më shumë projekte për filma, teatër”.

Çfarë sjell ndryshe?

Për Beshkun, gjithçka ka të bëjë me atë që përcjell.

“Nisur nga interesi i shumtë i treguar prej vajzave dhe djemve për feminizmin në kuadër të një lënde që jap në Fakultetin e Shkencave Sociale dhe dëshira për të lexuar, për t’u njohur me rrymën feministë, krijuam këtë klub. Së bashku me dy bashkëpunëtore ne çuam projektin sipas thirrjes së hapur nga Ministria e Kulturës dhe u përzgjodh”.

Megjithëse në Tiranë ka shumë klube librash, “ky klub do të flasë për feminizmin në kuadër të të drejtave të njeriut, me në fokus barazinë gjinore, problematikat e grave, vajzave në shoqëritë shqiptare”.

Gjithashtu, sipas pedagoges, do të trajtojë “maskilizmin e theksuar të disa aspekteve, solidarizimin mes grave dhe vajzave me njëra-tjetrën, problemet sistematike të shoqërisë tonë, sistemeve politike, krahasim sistemesh politike të ndryshme, pra duke marrë shkas nga letërsi e mirë në këtë drejtim ne do përpiqemi të rrokim të gjitha këto temat e tjera”.

Dhe jo vetëm…

Risia tjetër ka të bëjë dhe me planin praktik.

“Ne do të zhvillojmë nga një takim në çdo muaj, ku presupozohet të lexohet nga anëtarët e tjerë të Klubit. Libri shpallet në fillim të muajit dhe në takim diskutohet mbi tw, përfshirë dhe tematikat e tjera”.

Synohet rikthimi i qytetarëve te libri, por ky rikthim pretendohet në vijat e përdorimit të mendimit kritik, “duke lidhur realitetin shqiptar me problematika të ndryshme në këndvështrimin feminist”.

Pse feminizmi?

“Feminizmi, në fakt, është një lëvizje që shpeshherë është keqkuptuar dhe steriotipizuar, ku shpeshherë mendohet se do të thotë vetë të mbrosh gratë, vajzat në kurriz të të drejtave të gjinisë tjetër, do të thotë që i privilegjon ato, por në fakt feminizmi është për të gjithë, edhe për burrat, djemtë”.

Një nga anëtarët e këtij klubi, Valmir Visha, e shikon si “diçka pozitive” nismën e ndërmarrë.

“Ne do të diskutojmë tema që, në jetën e përditshme, diskutohen pak. Unë besoj se klubi do të ndërgjegjësojë për të drejtat dhe barazinë gjinore”.

Ai beson se do të ketë pjesëmarrje dhe të djemve “sepse mendoj se shoqëria shqiptare po ndryshon dhe kuptojmë që njeriu duhet të jetë i lirë për të marrë vendimet për jetën e tij”.

Ndërsa, rregullat për t’u bërë pjesë janë të thjeshta, bën me dije Beshku.

“Përmes një formulari të anëtarësimit online, që gjendet lehtësisht me të gjitha platformat ku ne jemi pjesë, me emrin Klubi Feminist i Librit dhe, pastaj, një përfaqësues i stafit merret vetëm me komunikimin e të anëtarësuarve që njoftohen për librin e radhës, ku mund ta gjejnë, vendin e takimit”.

Koordinatorja ravijëzon se interesimi ka qenë shumë i lartë.

“Fakti kemi një klub libri të profilizuar, i ka tërhequr shumë ithtarë të kësaj lëvizje dhe shumë të rinj dhe të reja të bëhen pjesë”.

Ndonjëherë risitë duartrokiten, por edhe kritikohen. Vazhdimi mbetet në “duart” e shqiptarëve kërkues…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore