Shqipëria

14 vetë humbën sot betejën me coronavirusin


14 persona kanë vdekur gjatë 24 orëve të fundit për shkak të coronavirusit dhe ka pasur 1 mijë e 105 raste të reja, në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), një nga qytetarët që humbi betejën më coronavirusin është mjeku pneumolog 73 vjeç nga qyteti i Përmetit. Sipas të dhënave të MSHMS-së shtatë qytetarë janë nga Tirana, një nga Durrësi, Elbasani, Lezha, Mirdita, Kurbini dhe nga Vlora. Këta persona i përkasin grupmoshës 52-91 vjeç.

Aktualisht në katër spitalet COVID janë duke u trajtuar 492 pacientë, ku ndër ata 32 ndodhen në terapi intensive dhe 19 të tjerë janë në intubim. Janë kryer 4 mijë e 92 testime dhe janë shëruar 746 qytetarë.

Gjatë javëve të fundit ka pasur rritje të rasteve të reja me COVID-19.

Ministrja Ogerta Manastirliu, ka deklaruar se duke nisur nga sot, për shkak të rritjes së rasteve të reja, fasha e orarit për të lëvizur ka ndryshuar. Vendi do të mbyllet nga ora tetë e mbrëmjes deri në orën gjashtë të mëngjesit.

Prandaj, ministrja ka bërë sërish apel që të vendoset maska, të shmangen grumbullimet, të ruhet distanca dhe të tregohet kujdes për higjienën vetjake.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore