Lajme

Dyshohet se u dhunua një vajzë nga Fushë Kosova


Ilustrim

Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh ka njoftuar se është gjetur vajza e mitur që ishte raportuar e zhdukur në Fushë-Kosovë të premten, derisa rasti është cilësuar si dhunim.

I dyshuari e është dërguar në mbajtje, derisa vajza kishte deklaruar se ka qenë duke qëndruar me një burrë me vetëdëshirë me të cilin është në lidhje dashurie.

“Në stacionin policor është paraqitur ankuesja kosovare së bashku me vajzën e saj të mitur, e cila ka qenë e raportuar e zhdukur. Viktima ka deklaruar se me vetë dëshirë ka qëndruar me një mashkull kosovar, me të cilin është në lidhje dashurie”, thuhet në raportin e Policisë.

“I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Ndërsa një e mitur në Prizren ka kërkuar ndihmë mjekësore, duke deklaruar se është sulmuar fizikisht nga babai i saj i dyshuari mashkull kosovar.

Por, organet e rendit nuk i kanë bërë të ditura motivet e sulmit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, bëhet e ditur se është sulmuar një infermiere në vendin e punës në Gjakovë, ndërkaq viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Ndërkaq në Dragash janë arrestuar dy persona për shkak se gjatë kontrollit në veturën e tyre është gjetur dhe konfiskuar një armë automatike AK47, me 20 fishekë.

Gjatë 24-orëve të fundit Policia ka gjobitur disa qytetarë për mosrespektim të masave për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Sipas njoftimit të Policisë, për mosrespektim të masave të parapara në Ligjin COVID-19 janë gjobitur 218 persona, janë shqiptuar edhe 1157 tiketa trafiku, derisa kanë ndodhur 28 aksidente trafiku me të lënduar dhe 34 aksidente trafiku me dëme materiale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore