Lajme

Serbët bllokojnë pikën kufitare në Merdare: Shqipëria e Madhe po bëhet, ndërsa Vuçiç rri i heshtur


Protesta ne Merdare

Rreth 50 persona – serbë nga Kosova të Lëvizjes për Besim, Shpresë dhe Dashuri – kanë bllokuar pikëkalimin kufitar në Merdare këtë të shtunë në mesditë.

“Fiks në orën 12 e kemi bllokuar pikën në Merdare, pasi ne nuk do ta japim kurrë Kosovën”, ka thënë Nemanja Saroviç, udhëheqës i kësaj lëvizje.

Ai i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve Beta, se qytetarët kanë bllokuar kufirin si kundërshtim ndaj ligjit të ri për referendum, por gjithashtu për shkak të politikave të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në raport me Kosovën dhe implementimin e marrëveshjeve të Brukselit, të cilat ai i konsideron të gabuara.

“Shqiptarët po e bëjnë të ashtuquajturën Shqipërinë e Madhe dhe qeveria jonë po rri e heshtur”, ka thënë ai.

Gjithashtu, ka shtuar se bashkë me qytetarë ka bllokuar trafikun nga të dy drejtimet dhe se “protestën do ta vazhdojmë derisa të largohet nga pushteti Aleksandër Vuçiç”.

Qytetarët u mblodhën në Merdare duke mbajtur banera në duar ku thuhej: “Mini-Shengeni Shqipëria e Madhe”.

Nga policia e Kosovës, zëdhënësi Daut Hoxha, ka thënë për Albanian Post se për momentin nuk ka informacione rreth zhvillimeve atje.

Ndërsa, Besim Hoti, zëdhënës i policisë për Veriun, nuk ka qenë i qasshëm.

Protesta u organizua në vij me protestën dyorëshe në 50 qytete të Serbisë, ku aktivistët – kryesisht edhe për çështje ambientaliste – bllokuan rrugën dhe urat, duke kërkuar zhbërjen e Ligjit për Referendumin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore