Shqipëria

Shtatë detaje në takimin e shtatë


Në një takim formal nuk është e domosdoshme që të regjistrohen vetëm çaste formale.

Optika e kamerave që transmetuan live gjatë gjysmës së parë të ditës, kapën edhe disa episode joformale.

Shtatë detajet e 26 nëntorit i dhanë më shumë ngjyrim takimit të shtatë mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Me mbërritjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u shënua çasti i parë interesant.

Kurti mbante veshur një maskë kirurgjikale, ndërsa Rama, i cili kishte menduar deri në detajin më të vogël, ju afrua dhe i zgjati një maskë të personalizuar me ngjyrat kombëtare të dy flamujve.

Uniformitetit të tryezës iu bashkua edhe numri një i qeverisë së Kosovës, sapo u pozicionua në ulësen e tij.

Anëshkruar kabineteve qeveritare, gjendej projektimi i një qilimi me në sfond ngjyrat kuqezi dhe dy flamujt kombëtarë.

Raporti gjinor mes ministrave ishte i zhdrejtë.

Kabineti “Rama 3” mban një rekord botëror, pasi në përbërjen e tij 70 për qind janë gra.

12 ministre gra nga qeveria e Shqipërisë gjendeshin përballë 7 grave përfaqësuese të kabinetit qeverisës të Kosovës.

Detajin e radhës e ofroi Arbërie Nagavci, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, e cila kishte veshur një shall me ngjyrë portokalli.

Kujtojmë që nga 25 nëntori ka filluar fushata 16-ditore, e njohur si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila përfundon më 10 dhjetor, Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ruajti një retorikë “patriotike” gjatë gjithë fjalës së tij.

Por ai identifikohej edhe nga një spil me flamujt e Kosovës dhe Shqipërisë që kishte vendosur në xhaketën e tij.

Ndërhyrja e Ramës kundrejt dy ministrave të Brendshëm gjatë fjalës së tyre ishte një “zhveshje” nga burokracitë brenda tavolinës së bisedimeve.

“Hiqeni fare afatin 5-vjeçar për lejeqëndrimin ndër shqiptarë”, ishte apeli i tij.

Në rendin e pjesës së parë të takimit, ishte kryeministri Rama ai që hapi fjalën dhe kryeministri Kurti që e përmbylli.

Por, kjo nuk ndodhi gjatë çastit të nënshkrimit të marrëveshjeve, ku u ruajt rendi i folësve në pjesën e parë.

Kur erdhi momenti i fotografisë zyrtare, mbas kaosit fillestar të gjetjes së vendeve, ra në sy se në krah të kryeministrit të Kosovës qëndroi zëvendës kryeministri i Shqipërisë dhe anasjelltas.

Artane Rizvanolli, ministrja e Ekonomisë në Kosovë, pati vështirësinë më të madhe gjatë fotografisë, pasi iu desh të ripozicionohej.

Ndërsa zhvillohej konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrave, pyetjet e planifikuara u ezauruan – nga dy për mediat shqiptare dhe ato të Kosovës.

Një gazetar kërkoi një pyetje të fundit dhe ishte kryeministri Rama ai që pranoi, duke dëshmuar faktin që takimi u mbajt në premisat e një ambienti tërësisht “vëllazëror”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore