Kosova

“Situata e sigurisë në Kosovë stabile – e mbështesim dialogun Kosovë – Serbi”


Ferenc Kajar

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori, Ferenc Kajar ka deklaruar se situata aktuale e sigurisë në Kosovë është stabile dhe se KFOR-i vazhdon të zbatojë në bazë ditore mandatin e tij.

Komandanti hungarez, ka bërë të ditur se KFOR-i ka mirëpritur marrëveshjen e fundit në Bruksel që zgjodhi situatën në Veri pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ai madje ka potencuar se ata e mbështesin me vendosmëri dialogun dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin a marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne mirëpritëm marrëveshjen për de-eskalimin dhe rrugën përpara të arritur ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën kujdesin e dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO luajti një rol kyç dhe të përkohshëm për të siguruar zbatimin efektiv të tij”, ka thënë Kajar në një intervistë për Kosovapress.

“NATO vazhdon të mbështesë me vendosmëri dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo është e vetmja rrugë drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike për rajonin dhe është çelësi i stabilitetit për të gjithë rajonin”, ka vazhduar ai.

Policia e Kosovës dhe KFOR-i në Veri të vendit pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për de-eskalimin e situatës pas vendosjes së reciprociteti për targa nga ana e Qeverisë së Kosovës

Sipas tij përbërja e KFOR-it nga 3 mijë e 700 trupa nga 20 vende anëtare të NATO-s ilustron qartë angazhimin e palëkundur dhe kolektiv të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Për momentin NATO nuk ka plan për të ndryshuar apo reduktuar misionin e KFOR-it në Kosovë. Arritjet e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja vlerësohen rregullisht dhe në bazë të kësaj të gjithë aleatët bien dakord që ne duhet të ruajmë forcën aktuale prej rreth 3,700 trupash”.

Kajar ka folur edhe për bashkëpunimin me Forcën e Sigurisë së Kosovës duke i cilësuar marrëdhëniet e tyre si shumë të shkëlqyera.

“KFOR-i ka një bashkëpunim të gjatë dhe të shkëlqyer me Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të gjitha nivelet e përgjegjësisë. Tashmë kam takuar liderët kryesorë të FSK-së dhe i kam uruar për aftësitë e shkëlqyera të EOD-it, lehtësimin e fatkeqësive dhe aftësitë e FSK-së për trajtimin e materialeve të rrezikshme”.

Me 15 tetor të këtij viti, gjeneralmajori hungarez, Ferenc Kajar, ishte emëruar komandanti i ri i KFOR-it.

Kështu duke e zëvendësuar, kolegun e tij Gjeneralmajorin italian, Franco Federici.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore