Auto

Renault, marrëveshje për bateritë e makinave elektrike me Envision dhe Verkor


Renault, prodhuesi francez i makinave, ka njoftuar të hënën e 28 qershorit se ka nënshkruar partneritete me Envision AESC-në e Kinës dhe Verkor-in e Francës, për të prodhuar bateri makinash elektrike në Francën veriore.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në mbarë botën, prodhuesit e makinave po garojnë për të qenë përpara rivalëve në prodhimin e automjeteve më të pastra. Një ndryshim teknologjie ky që tanimë, po bën që Volkswagen-i i Gjermanisë të ndërtojë gjashtë impiante të vetat në Evropë.

Njoftimi i kompanisë ka ardhur para një vizite të presidentit Emanuel Macron në Douai në Francën veriore, ku Envision-i po investon deri në dy miliardë euro afër qendrës së makinave elektrike “Renault ElectriCity”. Kjo për të krijuar 2 mijë e 500 vende të reja pune deri në vitin 2030.

Gjithashtu Renault ka bërë me dije se ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me startup-in francez të quajtur Verkor për të bashkë-zhvilluar dhe më pas prodhuar bateri me performancë të lartë, me synimin për të zotëruar më shumë se 20 për qind të aksioneve në Verkor.

“Kombinimi i këtyre dy partneriteteve me Renault ElectriCity do të krijojë afro 4 mijë e 500 vende pune të drejtpërdrejta në Francë deri në vitin 2030, teksa zhvillon një ekosistem të fuqishëm të prodhimit të baterive në zemër të Evropës”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Reuters zbulon se fabrika e AESC-së në Douai do të ketë një kapacitet prej nëntë gigavat për orë në vitin 2024 dhe se do të ecë me synimin për të arritur 24 gigavat për orë deri në vitin 2030.

Gjithashtu afërsia e fabrikës së madhe të Envision AESC-së me vendet e prodhimit të Renault ElectriCity në Douai, Maubeuge dhe Ruitz, do të krijojë 700 vende pune shtesë në rajonin e Hauts-de-France.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore