Lajme

8-vjeçari në Pakistan akuzohet për blasfemi


Një tetëvjeçar nga komuniteti hindu është duke u përballur me dënim me vdekje, pasi ka urinuar në dyshemenë e një biblioteke të Medresesë në Pakistan.

Familja e djaloshit është në arrati. Gjithashtu edhe komuniteti hindus në pjesën konservatore të Rahim Yar Khan, në Punjab, kanë lënë banesat e tyre, pasi një turmë myslimane ka sulmuar Tempujt Hindus pas kësaj ngjarjeje.

Trupat ushtarake kanë ndërhyrë në këto trazira.

Djaloshi akuzohet se ka urinuar me qëllim në dyshemenë e bibliotekës së medresesë, ku mbahen tekstet fetare. Akuzat për blasfemi, në Pakistan, mund të shpien edhe deri në dënim me vdekje.

Një anëtar i familjes së djaloshit për prestigjiozen “The Guardian” ka thënë se “ai është fëmijë, i pavetëdijshëm për çështje blasfemie. Ai as që e kupton se çfarë krimi ka bërë, edhe pse është mbajtur në burg për një javë”.

“Kemi lënë punët dhe dyqanet, i gjithë komuniteti është i frikësuar nga hakmarrja që mund të na bëhet. Ne s’duam të kthehemi më në këtë zonë. Ne nuk shohim ndonjë veprim konkret dhe kuptimplotë që do të ndërmerret kundër fajtorëve, ose për të mbrojtur pakicat që jetojnë këtu”.

Ekspertët ligjorë janë të shokuar nga rasti i akuzimit të një fëmije për blasfemi. Ata e shohin këtë si të paprecedentë, pasi asnjë njeri, i një moshe kaq të re, nuk është akuzuar për blasfemi.

Ligjet mbi blasfeminë

Ligjet e blasfemisë janë përdorur në mënyrë disproporcionale në të kaluarën kundër pakicave fetare në Pakistan.

Megjithëse asnjë ekzekutim blasfemie nuk është kryer në vend që kur u vendos dënimi me vdekje për blasfemi në vitin 1986, të dyshuarit shpesh sulmohen dhe ndonjëherë vriten nga turmat.

Aktivisti për të drejtat e njeriut, Kapil Dev, ka kërkuar që këto akuza të hidhen poshtë, dhe i ka bërë thirrje qeverisë për të mbrojtur familjet që kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

Sipas një raportimi të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Liritë Fetare, e cila është publikuar këtë vit, thuhet se Pakistani ka numrin më të madh të incidenteve të sulmeve nga turmat, dhunë të turmave, dhe kërcënime nga turmat, si rezultat të akuzave për blasfemi.

Marrë nga The Gurdian, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore