Lajme

72 të vdekur pas protestave në Afrikën e Jugut


Rikthimi i qetësisë publike ishte tepër i vështirë për autoritetet e Afrikës së Jugut, pas protestave të dhunshme e të përgjakshme ku mbetën të vrarë të paktën 72 persona.

“Një kryengritje” e vërtetë popullore kanë qenë këto revolta civile, në shenjë irritomi pas arrestimit të ish-presidentit, Jacob Zuma. Ky i fundit, u vetëdorëzua për të vuajtur një dënim 15-mujor pas vendimit të Gjykatës për ta dënuar mbi akuzat e korrupsionit.

Më parë, Zuma nuk kishte pranuar të paraqitej përballë komisionit hetimor anti-korrupsion. Por, përtej mohimit të akuzave nga ana tij, arrestimi është kryer.

Mes të vrarëve janë edhe 10 persona, të cilët u shtypën gjatë marshimeve në qytezën e Soweto-s.

Më shumë se 1 mijë e 200 të tjerë janë arrestuar për gjendjen e shkaktuar.

Trazirat vazhdojnë tashmë prej një jave thuajse. Ishin fillimisht dyqanet dhe qendrat tregtare, ato që u bastisën të parat.

Me përshkallëzimin e situatës, policia filloi ndërhyrjet me fishekë manovër. Atyre, një pjesë e qytetarëve iu përgjigjën me plumba të vërtetë. Ishte pikërisht ky, çasti në të cilin situata mori tjetër rrjedhë, duke nisur thuajse një luftë civile.

Vala përfshiu edhe qytete shumë të mëdha si Johannesburg-u.

Qytetarët e papërfshirë në demonstrata, kanë humbur çdo shpresë ndërkaq për të ardhmen.

“Nuk dimë ku do të qëndrojmë. Nuk dimë çfarë do të hamë. Nuk dimë asgjë”, foli një qytetar për median amerikane CNN.

“Është shumë e dhimbshme kjo që po ndodh dhe nuk di ç’të them. Ky nuk është faji ynë”, tha i përlotur një tjetër.

Vendimi për Zuma-n, ka shkuar tashmë në Gjykatën Kushtetuese të Afrikës së Jugut. Megjithatë, gjasat që të dënimi të hiqet janë të pakta.

Zuma është i pari ish-president afrikano-jugor, i cili arrestohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore